Spasse Thanasi:Një natë me Marinën në Prespë


Muza poetike e shpirtit….
⦁ Në brigjet e liqenit të Prespës edhe fjala ritmike e poezisë bëhet këngë e jetës dhe hymn i dashurisë. Nëpër kohë këtu ka jehonë ëndrrash dhe mistere të çuditshme. Dhe çdo “gjurmë” flet me muzën e shpirtit, me shpirtin e shkronjave duke “gdhendur” skulpturën shpirtërore në një mozaik të bukur me frymën e shenjtë të jetës, që ka aromë natyre e ngrohtësi njerëzore !…
⦁ ……………………….Nga Spasse Thanasi

Një natë me Marinën në Prespë
Prespë !
Mes malesh sykaltër
Si një këngë me flatër
Magji bukurie dhe hyjnie…
Me brigjet e thepisura
Në mes të ujit, dy ishuj
Ngjyrë hiri nëpër valë…
Fshati i vogël GORICË nën kodër
Si një zog finosh…
Liqeni,
Bukuritë janë enigma
Aty pështjellimin gjeni.
Në Mal të Thatë
Fluturon shqiponja
Liqeni si një sy
Hapet nëpër kohëra…
Bregu i liqenit !….
Me napë të hollë ngjyrë floriri
Plot shkëmbinj, guva e shpella
Siluetë harqesh pafund…
Si ruazat e gjerdanëve të nuseve
Me flakë shpirti e xixëllima ndjenjash
Në atë heshtje të thellë të natyrës
Flakë e argjendtë varur në qiell…
Bregu i liqenit !…
Valët si kumte shekujsh
Në thellësi të ujrave
Oshëtima e Kasandrës
Profecia e verdhë e ishullit
Ledhaton me sy kurora mrekullie
Ravijizim ngjyra – ngjyra
Rreth e qark maleve…
Pranë Vakëfit
Shpella e pëllumbave një gjerdan i artë
Me qendisma shenjtori
Klithma të ndryshme mbytur në mjegull
Ia shton rrezatimin natyrës…
Një shpirtë pellazg në muzën e Iliriadës
Vështrimin mbi qiellin e pafund
Mbushur me xixëllonja si një sy të habitur
Derdhur plot shkëlqim
Deri në agim…
Dy yje në qiell
Kujtojnë dy sytë e Marinës
Gërshetat e saj derdhur si valë
Buzëqeshjen e ndrojtur rrëzë shkëmbit si nositi…
Bri i artë mbi sipërfaqen e ujrave
Ndez një dritë tjetër si petë floriri
Një brez i bardhë puhie
Në majat e Ivanit e Malit të Thatë
Nuk ia ndan sytë kurmit të Marinës
Larpë qiellore në korin e erës
Këngë mjellmash në zgjimin e ditës…
Dielli lind në majat e maleve
Lind një petë tjetër e artë
Lart në qiell briri i zbehtë i hënës
Mbërthyer si tokëz e argjendtë
Lan pasqyrimin e ujrave….

About Post Author