Spasse Thanasi:“Saga përtej Atlantikut”…


“Saga përtej Atlantikut”, një roman me drithërimat e jetës në përqasjen e botës së lirë njerëzore !…
…………………………………NGA SPASSE THANASI

Në dedikimin e romanit që më dha në duar në Tiranën e ëndrrave të tij rinore, autori Shefqet Meko më shkruan :
⦁ Të lutem gjeje kohën që të befasohesh dhe të futesh në mendime !….”
Dhe vërtetë “Saga përtej Atlantikut” më erdhi si një fantazi e gjallë krijuese me emrin e Xhelo Lakrorit, që ashtu si “Zylo” i Agollit të madh, “trondit” shpirtin e njeriut me përsiatjet e shekullit të 21-të, kur veremin e ka shtuar edhe pandemia Covid-19. Suksesi i autorit është se ai krijoi një personazh aktiv të jetës së gjallë me dritëhijet e botës së lirë plot ngjarje e histori. Xhelo Lakrori jeton në ferrin torturues të llafeve të botës, ecën në shtegun e dashurisë me Shano Gërsheta, vajzë e bukur e fshatit Hocisht të Devollit; jeton me fantazitë e shkruara të Garsia Markezit; loton me drithërimë në momente lamtumire për një mik të mirë; njohu një freski femërore që i dukej si një “bozhurë i hershëm” si Ana Parroti….por nuk kuptonte lehtë profesionin e saj si nënë e punësuar me qera dmth një surrogato; punon nën një disiplinë dhe kontroll teknologjik perfekt dhe është një llojë kokëderri në mortjen botërore të pandemisë; jeton i pasionuar në universin e gjësë së gjallë me një mrekulli që njeriu pak e cmon në jetë; flladitet si Don Zhuan romantik në buzëmbrëmjet joshëse pranë detit Adriatik dhe endet si “Romeo i emigracionit” përtej Atlantikut…
Xhelo Lakrori është një personazh që flet hapur… Ai “zbulon” se “Shqipëria përherë të le pa gjumë dhe njerëzit marrin në telefon kur ti teket” dhe se “Pija është “dinamit” shpërthyes i cdo dashurie”…Për të është e cmuar miqësia, dashuria dhe lumturia në jetë dhe profesion. Takohet e bisedon me Niko Noksani nga Menkulasi i Devollit, me Oliver Kashari nga fshati Tren, me Nestur Obotin që i kishte afruar zyrtarisht garancinë për Amerikën, me Rokon nga Sinica që ishte “gjeni i së majtës”, me Spiro Monikus një kushëri i largët, me Bekim Horri një gazetar i famshëm pranë gazetës erotike “Dashuri”, me Edmond Kaceli që bënte pamflete shokuese për politikën e rrotave shqiptare, që Shito kadifeja i pat thënë : “ Ironia e këtij katoliku lezhjan canë cdo butë vere që është mbi një shekull i vjetër…”. Xhelo nuk donte të vdiste pa takuar këtëlezhjan të cuditshëm që mbase enigmën e tij do ta zbërthejnë brezat në vijim si në kodet enigmatike të Da Vincit të madh.
Ky lexim i këndshëm në një grotesk të lirë ndjenjash në hapësirat e një bote me “mistere” e “cudira” nga më fantastiket, të bënë të mendosh për “ palën e mendjes” dhe “strofkën e shpirtit”. Po citoj një fragment nga romani :
⦁ “Njeriu është shpresa dhe frika më e madhe e kohës që jetojmë. Ndaj përfundimisht ai do të dedikohej kafshëve dhe vetëm atyre, sepse në të njeriu gjen miqësi të vërtetë…I kishte harruar të gjitha, kishte harruar Anën, lindjen që ajo sillte në jetë, kishte harruar milionerët e zhdukur dhe ashtu në këmbë, që sikur donin ta rrëzonin përtokë, ngjiste shkallët deri te dera e shtëpisë ku përherë do ta priste me përqafime dhe të qeshura Shano Gërsheta…”
Është momenti që Xhelo Lakrori kthehet i lirë në shtëpi pas prangave të policisë, që e arrestoi të dehur me makinë në rrugë…
Sot Xhelo Lakrori në këtë liri – drite të botës së turbulltë shëtit kudo bashkë me autorin. Sot autori është bashkë me Xhelon në “vatrën e tij” shqiptare. Ky sinonim i bukur flet për “tallazet” e panumërta jetësore, për “begatinë shpirtërore” që ushqehet nga brumi jetësor, për pasionin e profesionit dhe të krijimit. Ka mjaftë domethënie ky roman për gjithë shqiptarët që “përmallohen” përtej Oqeanit, për gjithë të dashuruarit që të ngrenë një “fole” lumturie të qetë, për të gjithë bizmesmenët që të mos cojnë dëm investimet e parave të tyre, për të gjithë brezat që të shkollohen e armatosen me dije bashkëkohore se bota po bëhet më “e rreptë”, jeta “më e shtrënguar”,njerëzit ‘më djallëzor”…

Foto nga pronovimi i romanit “ Saga përtej Atlantikut” në Tiranë

About Post Author