Adriatik Cami-Kampioni sportist dhe njeri, “Ambasador për Paqe” Nga Halil Rama


Sportistët e formatit të tij janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë…

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Djaloshi dibran Adriatik Cami – kampion bote në kategoritë WKF dhe WIPU në sportin e kickbox-it, sportist dhe trajner model, një pasionant dhe djalë luftarak që falë punës së tij arriti të ngjitej si kampion në majat e federatave europiane dhe botërore në kikboks, prej 28 vitesh jeton e punon në Athinë, ku ka ndërtuar familjen e tij të mrekullueshme. Ai ka fituar zemrat e jo vetëm të shqiptarëve të Pireut, por edhe të grekëve, madje prefekti i Pireut kish deklaruar se nëse do të kishim 2-3 Adriatik të tjerë, Pireu dhe Athina do të ishin ndryshe

Të dielën e 14 prillit 2024 Adriatik Cami – “kampioni sportist dhe njeri”, siç e vlerëson ikona e gazetarisë sportive dhe e dokumentarit televiziv Defrim Methasani, ka përjetuar një moment sa të bukur aq edhe emocionues, duke u nderuar me dy tituj që shpërblejnë kontributin e tij në tre dekada, në sport dhe të një jete aktive sportive në Athinë. Federata e Paqes Universale e Shqipërisë, i akordoi, krahas 10 personaliteteve që jetojnë në Greqi, titullin “Ambasador për Paqe”, ndërsa Unioni i Gazetarëve Sportivë të Shqipërisë, titullin e Mirënjohjes.
“I lumtur që këtë titull ma dorëzoi ish futbollisti i Flamurtarit dhe Kombëtares, Ambasadori për Paqe Kreshnik Çipi, në prani edhe të Ambasadores sonë në Greqi Luela Hajdaraga dhe Zv ministres së jashtme zonjës Artemisa Malo”, shkruan Cami në faqen e tij në facebook, ndërsa ka falenderuar edhe Kryetaren e FPU të Shqipërisë Eva Çipi, Sekretarin e Përgjithshëm Gani Rroshi, Kryetarin e Këshillit të Paqes Tiranë Defrim Methasani dhe kordinatorin e këshillit të Paqes Sarandë në Athinë Anastas Murati.
Padyshim që këto tituj janë një gëzim për momentin, por edhe një përgjegjësi për të ardhmen, për të fituar më shumë tituj kampion e medalje me sportistët që Adriatik Cami po përgatit në boks dhe kikboks, por dhe për të qënë një familjar i mirë e qytetar dinjitoz.
Ndërkohë, Defrim Methasani – Mjeshtër i Madh nuk e fsheh krenarinë që ju dha mundësia të moderojë ceremoninë lauruese për 10 personalitete shqiptare të cilët jetojnë në Greqi. Mes tyre ishte përzgjedhur sportisti dhe trajneri model Adriatik Cami, një pasionant dhe djalë luftarak që falë punës së tij arriti të ngjitej si kampion në majat e federatave europiane dhe botërore në kikboks. Adriatik Cami është shpallur kampion bote në kategoritë WKF dhe WIPU në sportin e kickbox-it.
Para pesë vjetësh ka marrë titullin “Qytetar Nderi i Bulqizes” nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, duke u vlerësuar si krenari dibrane e mbarëshqiptare.
Djaloshi dibran që prej 28 vitesh jeton e punon në Athinë, ku ka ndërtuar familjen e tij të mrekullueshme, ka fituar edhe zemrat, jo vetëm të shqiptarëve të Pireut, por edhe të grekëve, madje prefekti i Pireut kishte deklaruar se “nëse do të kishim 2-3 Adriatik të tjerë, Pireu dhe Athina do të ishin ndryshe”.
Natyrisht që kampioni Cami ndjehet krenarë për një vlerësim të tillë dhe të dy titujt që iu dhanë “Ambasadorë për Paqen” dhe “Mirënjohje” nga UGSSH, tituj që iu dorëzuan nga Mjeshtri i Madh Kreshnik Çipi, që natyrisht janë të merituar për këtë sportist kampion dhe njeri po të tillë.
Kampioni botëror në kickboxing, Adriatik Cami mbetet gjithmonë frymëzues për brezat e rinj. Sportistët e formatit të tij janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë.