S’të kam vëlla:Zymer Mehani


Zymer Mehani

S’të kam vëlla

S’të kam vëlla
Ty turk e shkja
As ty, i ziu shqiptar
Që për ca para dhe ar
U bëre tradhtar

S’të kam vëlla
As ty, o i marrë
Ty “i kombit kosovar”
Që s’ke mend fare
Por je tru-tharë

S’të kam vëlla
Ty që e theve besën
Që s’ke turp fare
E shan Nënë Terezën
Që për të varfërit
Pat ngjallur shpresën

Vëlla s’të kam
Turk Ursugllan
As serb Milan…
Krajl e sulltan
Vëllezërit e mi
Quhen ALBAN…

S’të kam vëlla
As du me t’pa
Ty që kombin e tjetërson
Dhe ndërron fytyrat
Si kameleon

S’të kam vëlla
Ty që me pushtues bashkëpunon
Qenien shqiptare krejt e harron
Dhe Skënderbeun ti e mohon

Vëlla nuk të kam
Kurrë me ty s’jam
Ti që fyen Anton Çettën
Që pajtoi kombin me besa-besën
S’të kam vëlla
As ta du fisin
Ty që urren Shkodrën e Lisin
Ty që njollose dhe e hudhe plisin

S’të kam vëlla
Ty që m’ hap varrë
Me atë flamurin larë përmbi larë
Unë si ti s’jam, por jam shqiptar

S’të kam vëlla
Ty që provokon
Armikun tonë e përqafon
Godet pas shpine, gënjen, mashtron

S’të kam vëlla
As t’kam pasë kurrë
Ty që s’ke qenë, as nuk je burrë
Ty që mohon Shqipen n’Flamurë
Vëlla nuk të kam
Kurrë me ty s’jam

About Post Author