Stuhitë e marsit:Seti Pezaku Vladi 


STUHITË E MARSIT

Linda më 21 mars,
në muajin e parë të pranverës,
njëherazi me mimozat që erëmonin qytetin
kur ende bora shkrinte pullazeve.

Me buzëqeshjen linda,
atavizma e qelizës sime,
përherë ag mëngjesi
krasitur nga ëndrrat e shilarësit të natës.

Nuk e dija se e doja aq shumë hapsirën,
më shumë se perlat që farfurijnë!
Çlirova gjithë stuhitë e marsit
të lëvizin lirshëm klithmat e poezisë sime.
Sa shumë psherëtima
kam varrosur nën murana netësh!
Edhe psherëtimat e diellit me dhëmbë
kur një mbrëmje mbytej në gjakun e tij
shtrirë mbi det.

Atë natë ndeza qirinj yjesh
që asnjë diell flakën mos tua fik,
mbolla trëndafila të kuq
në qiellin e netëve të marsit.