Sytë e lotëve-Llesh Gjoka


Ata nuk i pashë, kurrë nuk i pashë

kur binte hija e muzgut ngadalë

motit mjegullor

ngarkuar me barrën e dhimbjes

mbi kurrizin e ditëve.

Ishin fshehur, ishin strukur thellë

mbulur me një vello fisnikërie.

Kur për të tjerët ishin sytë e bukur

sytë e lumturisë.

Lumturi i thënçin!

Ah, ç’lumturi! Në hall të zi!

Ata mashtronin veten

ditëve të rrejshme

nën qiellin gri.

Nuk i pashë, i fsheha thellë

smogut të krenarisë sime

në rropatje të ligshtë

në peshoren e dhimbjes, në vaj

Kur veten e ngushtova:

Mos bëzaj!

Nuk i nxora në ankand sytë e bukur

që kullonin perla lotësh.

Sepse askujt nuk i duheshin

sytë e një alieni

sytë e mbinjeriut.

Nuk i desha sytë e padukshëm

shtërnguar rrathëve të ferrit

fshehur shtatë pash

brenda vehtes prej guri.

Në vend të tyre desha

sy njeriu që qeshin me lot

sy njeriu që qajnë natyrshëm

jetës, refren i pandarë

i këngës së një melankolie.

Nuk i pashë kurrë ata sy të vetvetes

por i pashë përlotur te Ti

Atëhere e kuptova vërtetë

madhështinë e qënies

NJERI.