Tam-tam, rrapa-tam-Vaso Papaj


Tam-tam, rrapa-tam

(Fadil Hasës atje lart)

Po ngjis ca shkallë, për të të gjetur,

Më duket heshtja sikur qan.

Edhe symbyllur, edhe buzëqepur,

Një buzëqeshje po shpërndan,

Një buzëqeshje si vikamë:

Tam-tam, rrapa-tam.

Tam-tam, rrapa-tam.

Një zhavorrishte buzë një lumi,

Një film, ca sy, askush s’m’i ndan.

Po ç’është kështu! Të ka zënë gjumi?…

Buzëqeshja jote sikur qan.

Buzëqeshja: fjalë që s’po e mban:

Tam-tam, rrapa-tam.

Tam-tam, rrapa-tam.