Tango-Vaso Papaj


Tango

Tango,

Ndonëse ndëshkimet ndër vite më kanë ndjekur,

Kujtimi yt asnjë çast s’më është tretur.

Të kërkova, tango,

Një ditë prapë të kam gjetur.

Tango,

Me hapin dy plus një, ti s’je veç një vallëzim magjik,

I asaj kohe që nuk do të kthehet më, or mik.

Të dua fort, tango,

Se je fisnik e mbi fisnik.

Tango,

Dikur ke qenë një poezi e imja, e gjallë.

Sa herë që e kujtoj, më ngjizka vetëm mall.

Provojmë bashkë, tango!

Dhe i vdekur, ti më ngjall.

Tango,

Bukuritë tona të dikurshme më s’do t’i kesh.

Rrotull sado të vimë të dy aty në shesh

S’të lëshojmë, tango,

Mes nesh qeshjen do ta gjesh.

Por… tango,

S’e di… do t’më shërbejë sadopak kujtimi yt!

Mjafton të mos i ndahem një minutë asaj nga sytë

Të adhuroj, tango,

Në gji më robërove, zhyt.

Hej, tango, në fund,

Koha s’ndalet, Një ditë, vallë, do t’më pranosh?

Se edhe unë qenkam si ti, nuk paskam moshë.

Rrëmbemë pra, tango,

Qiejve të iki si djalosh.