Te burimi u afrova …
Si , shigjetë m’i ngule sytë
Kur ike përpara tëndës
Lastar Maj trupi yt
Dola , çova dhëntë nga bregu
Dhe Diellit i vura synë
Pusinë ta zura te shtegu
Prita , sa të vije tinë.
Floku yt , si trendelinë
Në dy degë gërsheta dredhur
Shkove u ngjite në brinjë
Çajë mali për të mbledhur.
Ktheva ballin e kopesë
Andej nga binte shullëri
Të të shihja sytë e zesë
Moj thëllëzë pëndë argjëndi.
Mali qe mbuluar me lule
Ty , nga lulet s’të dalloja
Fillova me tinguj cule
Një këngë për ty , të këndoja.
Lagur nga vesa e natës
Re poshtë në ato burime
Erdhe pas vazhdës kërrabës
Kur dëgjove këngën time.
Te burimi u afrova
Kur , të pashë ty duke zbritur
Me ujë mali të freskova
Se , balli të ish djersitur.
Në merak të madh më fute
Zjarri të digjte më shumë
Faqet t’u bënë flakë të kuqe
Se , dhe ujtë s’po bënte punë.
Zjarri kaminë përvëluar
Gusha aromë lulesh vinte
Të dy mbetëm të hutuar
Zjarri dashurisë na digjte.
