Të dua…Tregim nga Edi Pejo


Tregim nga Edi Pejo

Ajo e largoj ngadalë ndoshta pa e kuptuar as vetë. Bashkëbisedimi edhe në rrjete sociale po bëhej gjithënjë e më i rrallë, derisa  pothuajse heshti plotësisht. U shkëput pa shpjegim dhe ai pa kuptuar e kishte lënë të zmadhohej hapsira midis tyre. Ata jetuan shumë vite të dashuruar, dashuri e cila u mbyll në ndonjë cep të shpirtit të secilit. 

Fillimi ishte rrjedhë miqësie e dikur ai e pyeti: 

– Çfarë jam unë për ty? 

Pa hezituar ajo i përgjigjet: 

– Dashuri. 

Dashuria e tyre mori formë pas një komenti të një novele që ai i dha për të lexuar. Narativa ishte e thjeshtë – Personazhit i kishte vdekur e shoqja duke i lënë dy vajza të mitura. Si familje pasanikësh, e varrosi të shoqen në varrezat familjare brënda pronës së madhe që zotëronte. Nga dita që e shoqja vdiq, mbi varrin e saj ai vendoste çdo ditë një lule. Ditët kalonin dhe ai vërente se vajzat kishin nevojë për kujdestare. Me sjelljen dhe përkujdesjen që tregonte kujdestarja e punësuar u bë e pranueshme nga vajzat dhe njëkohësisht u pranua edhe nga ai që, ajo mund të shprehte mendime për zgjidhjen e probleme administrative të familjes. Ditët kalonin dhe vendosja e luleve te varri i të shoqes po bëheshin më të rralla. Një ditë dimri, duke luajtur me fëmijët në oborrin e kështjellës, ai pa dashje godet me top bore kujdestaren e cila ishte bërë pjesë e argëtimeve në familje. I zënë në gabim dhe duke qeshur, u afrua te ajo për të pastruar dëborën e mbetur në shallin e saj. E përqafoj duke i kërkuar falje. Qeshën të dy, qeshën dhe vajzat të cilat vrapuan drejt tyre. Të katër mbetën të përqafuar duke shfaqur kënaqësinë e të qënurit bashkërisht. Nga ajo ditë, mbi varrin e të shoqes ai nuk vendoste më lule.

Kur mbaroj leximin dhe i ktheu librin, i kërkoj asaj një koment. Është normale të ndodhë kështu, pasi të qënurit pranë një grua dhe një burrë do e kalojë nivelin e miqësisë, u përgjigj ajo me një frymë. Ai pasi e dëgjoj me qetësi u përpoq të shpjegonte se çfarë tha ajo, mbulonte më së shumti tërheqjen fizike apo e thënë ndryshe instiktin biologjik. Unë mendoj vazhdoj ai, se personazhi e donte gruan e tij për atë që ajo kishte qënë në jetën e tij dhe e donte shumë. Por, kur gruaja e pranishme do të shfaqte edhe sado pak më shumë mirësi dhe mirëkuptim, dashuria e re mund ose do lind. Ai theksoj se komenti i tij mbulon më së shumti anën shpirtërore, pasi dashuria është ndjenjë shpirtërore. 

Ajo mbeti e menduar dhe nuk shprehu asnjë mendim më shumë.

Marrëdhënia e tyre kishte arritur në një pikë ku asnjë prej tyre nuk mendonte kthimin pas, pasi kishin kuptuar se ishin të rëndësishëm për njëri tjetrit.

Pas shumë vitesh ajo duke e parë në sy i thotë: – Nëse do të shkoj në mendje që një ditë të largohesh unë, do vij çdo ditë poshtë banesës tënde e si e ç’mëndur do uluras me gjithë fuqinë time; “të duaa…”.

Por, largësia e tyre tashmë ishte bërë e madhe, pasi ajo e kishte vrarë magjinë që lidh dy të dashuruar dhe erdhi një ditë që krijoj një marrëdhënie të re. Ai nuk tentoj të kërkonte shpjegim, pasi mendonte se e dinte përgjigjen. Nga ajo ditë, atij i shkonte në mendje të kalonte edhe vetëm një herë poshtë banesës së saj dhe të ulurinte si i marrë; “të duaa…”. 

Por, nuk do ta bëjë asnjëherë…