Të enjtet e nënës-Kostaq Duka 

Kostaq Duka 

Të enjtet e nënës

Në orën 9-të,

çdo të enjte,

pesembëdhjetë vite me rradhë

zërin e nënës e kërkoja nga larg.

I ndjeja rrahjet e zemrës,

dridhjen e buzës nga i madhi mall

dhe një merak të pashprehur,

një brengë që s’thuhet dot me fjalë.

Pesëmbëdhjetë vjet!

E enjtja e nënës më bënte me krahë,

ditën e natën mërgimtare,

mbështillte me dashuri e përkëdheli duarsh gjithë damarë.

Tani ora 9-të e të enjteve

më ther në shpirt.

Telefoni më ngjan më i rëndë.

Por përsëri në heshtje mesazhe dërgoj tutje,

atje ku prehet nëna e te tjerë të dashur të mij.

(Nga libri me poezi”Shtegu i nostalgjive”)