Të gjitha post-scriptum


Aristidh Cipa

Ne të gjithë, të ditur dhe të paditur, në

kohën e lirë shkruajmë vjersha

Horaci

Të përshëndesin nga larg

Me mirësjellje.

Të rezervojnë nga afër

Respekt tëveçantë.

Më në fund, të ndalin në rrugë.,

Ky është hapi i radhës.

Jo pa droje, të ofrojnë një libër:

Zotëri, një dhuratë, ju lutem!

Siglojnë nxitimthi një përkushtim të shkurtër;

Sigurisht, presin vëmendje…

O çast i shumëpritur,

Erdhi, pra, foshnja në dritë!

O pritje e gjatë e jetës! O jetë,

Flakur pas krahëve!

O sy prapa syve! Vetëtima shuar në gotë!

Erdhi, pra edhe një foshnje në botë!

Po këtu të gjithë shkruajnë, shkruajnë…

Si erdhën, nga zbritën këta alienë

Me nga një thes librash hedhur mbi shpinë?

U shfaqën midis të gjallësh

Zhbërë krejt, kyçur, pa ngjyrë.

Ç’atribute sjellin me vete?

As matanë, as më këtë anë…

Ç’radhë të trishta, ato radhë!

Janë gjella e mortjes

Që lamë rrugës,

Flitë e dijes dhe të padijes;

Ca romane grisur-shqyer,

Dy poema mbetur përgjysmë,

Një projekt për Skënderbeun…

Njerëz më radhë, të përndjekur

Të shpërfillur…

Rrasën ngritën, një çast, të heshtjes.

Uh, ç’gurë, ç’dhe kanë përsipër!

Ç’radhë të trishta, ato radhë!

Përshëndetje, djerrinë, lënë pas dore,

Gurishte e djegur për ujë!

Po këtu të gjithë shkruajnë, shkruajnë…

Ç’dreq patën ,pra, që e ngritën rrasën,

Fund e krye të gjithë ish-ër,

Pa lëng më, si dru të tharë,

Të athët si fruta pylli?

Oh, flakeni,

Fshiheni atë foshnjë,

Fikeni atë dritë,

Që na ndan, na shquan!

O zhgun i muzgut

Që na njëson,qëndro!

Sa shumë të gjallë-të vdekur,

Sa pak të vdekur-të gjallë!

S’dinë ç’bëjnë, o Zot, fali!

Fëmijë janë të gjithë.

Kanë mbetur në vitin që u dhunuan,

Në ditën, në çastin e mbramë.

Në pritje të verdiktit,

Para se të hidhen matanë,

Nxitojnë të lenë porositë

Pas vdekjes së vdekjes së parë,

Të gjitha post-scriptum:

Të paktët këtu jetojnë dy jetë.

Të shumtët vdesin dy herë.

Vlorë, 01.12.2015

About Post Author