Të jesh shkrimtar si Ibrahim Kadriu-Nga Timo Mërkuri


Timo Mërkuri

TË JESH SHKRIMTAR SI IBRAHIM KADRIU

Poezia “Të jesh shkrimtar” e Ibrahim Kadriut (“Kohë e varur në litar” Faik Konica Prishtinë 2022 f. 140) është një poezi që me të drejtë mund ta quash “Hymni i shkrimtarëve”, jo vetëm për nga ideja që shtron por së pari për stilin poetik me të cilin shpreh idenë e tij.Duke e lexuar me vëmëndje këtë poezi mendoj të saktësoj se autori shkruan për krijuesit e fjalës: poetë dhe shkrimtarë, pa i ndarë nga njeri tjetri, ndonëse në poezi nuk e specifikon këtë gjë,por që është e kuptueshme për lexuesin.

Poetët dhe shkrimtarët kanë një rraport të veçantë me atdheun, ata e bëjnë më të bukur nga sa është, pse flasin gjithmon për atdheun e nesërm, ata u paraprijnë agimeve të nesërme, e bëjnë më të ri e më të bukur, ta duash gjer në atë shkallë sa që të vdesësh për ‘të, e bëjnë pranverën stinën e vetme të atdheut dhe dashurinë këngën dhe lulet vetëm të tij. Ata e hyjnizojnë Atdheun gjer aty, sa që lexuesi e sheh si një Zot, i cili dëgjon lutjet e njerëzve dhe plotëson dëshirat e tyre, pse poetët dhe shkrimtarët e krijojnë atdheun prej ndjenjash.

Poetët dhe shkrimtarët janë nerv i tendosur i atdheut që lëshojnë tinguj në prekjen më të vogël të tij. Ndaj fjala e një poeti dhe shkrimtari dëgjohet më shumë se fjala e një gjenerali apo çfarë do lloj burri shteti pse ata flasin me vargje poetike dhe rreshta proze të cilat janë rruga e duhur për në zemrat e njerëzve, ndaj ajo jeton më gjatë, pse edhe përcillet berez pas brezi.

Ndaj dhe poeti Ibrahim Kadriu ka dhënë në vargje botën e tyre me një dritësim figurash artistike, të cilat që e paraqesin shkrimtarin (dhe poetin) me aureolë, brerore drite mbi krye.

Shkrimtari nuk ka një botë tjetër, ai krijon një botë të tijën, një botë që është formuar nga vetja e tij, nga ndjenjat, mendimet dhe talenti i tij; “një botë …/ formuar në vetën e parë/ të mban gatitu”, një botë që të jep: “mundësi të hatashme për të sunduar”, pse në atë botë shkrimtari dhe poeti janë “sundimtarë”, por ky sundim zgjat vetëm gjer sa të publikohet krijimi, pse në atë moment ai “abdikon” nga “froni” i sundimit.

Në këtë botë, si askush tjetër shkrimtari krijon edhe : “shtesë kohe për të krijuar”, dhe sqaron se këtë shtesë kohë e siguron: “me vetminë e ditës dhe natës”. Në këtë botë shkrimtari është aq i fuqishëm sa që, duke përdorur krahasimin poeti shprehet: “Nuk del bir nëne të jetë më i pushtetshëm/se ai që i mban në rresht/ndjesitë e të gjitha rrafsheve”., pra në këtë botë shkrimtari është Zot i plotfuqishëm shpirtërash njerëzorë.

Përmes metaforës: “vështrimi i mysafirëve në faqe librash“, poeti shpreh se shkrimtari si një robaqepës: “për t’i veshur mysafirët/që zënë vend në faqe librash/me rroba masash të caktuara /me stoli shkuar stolive “ duke dëshmuar se ai është i vetëdijshëm për rëndësinë e krijimeve të tij dhe kujdeset për to si për mysafirët që vijnë në shtëpinë e tij.

Poeti shpreh se botën e shkrimtarit: “e ke botën tënde të plotë/në të s’mund të futen kuvend as qeveri/as programe partish/as policë e administrator” dhe mua mu kujtua fakti se ndërsa Tolstoi e fshikullonte Carin nëpër libra e shkrime në gazeta, Cari kurrë nuk guxoi ta “qortonte” shkrimtarin zyrtarisht. Sigurisht që ky status paprekshmërie fitohet vetëm nga pak poetë dhe shkrimtarë, pikërisht nga ata të rrafshit të epërm.

Shihni sa bukur e shpreh poeti botën dhe misionin e shkrimtarit:” Të jesh shkrimtar/s’ke kohë të vdesësh/i ke të zëna të gjitha orët/me dashuritë/je i tëri i zgjuar e s’të duhet gjumi/kur je vetëm/por jo i vetmuar/vetëm pena di të trimërojë/të ruajë pushtetin e plotë” dhe secili prej nesh është gati të citojë emrat e një numëri të madh krijuesish të pavdekshëm, shumë prej të cilëve i kemi lexuar dhe ca më të paktë i kemi njohur. Vërtet poetët dhe shkrimtarët nuk kanë kohë të vdesin, ata jetojnë në krijimet e tyre edhe teje jetës njerëzore.

Portretin e shkrimtarit e metaforizon nën termin krahasues si një të plotfuqishëm që :“tërë botën/e mban në sirtar/ nën dry të shpirtit larg të tjerëve” dheme fjalë të thjeshta shpreh se :“dhe ke kohë për kohën e saj”, sepse poeti dhe shkrimtari gjithë kohën e kanë për kkrijimet e tyre.

Si një orkestër gjëmon strofa e fundit me vargjet plot dashuri të dyfishtë:“Të jesh shkrimtar /Kosova të falet tërësisht” madje të falet plot dashuri e respekt ajo Kosovë që nuk ju fal e nuk ju gjunjëzua asnjë fuqie që erdhi më synim për ta nënshtruar, dhe që poeti:..” strehohet në varg me gjithë peshën e dashurisë” së saj.

Poeti krijon imazhe që të vënë në lëvizje fantazinë e lexuesit si: “si ushtarë të disiplinuar / pas ushtrimeve të rrezikshme”, krijohet një imazh i një ushtrie të disiplinuar që është gati të bëjë çdo gjë që i kërkohet nga krijuesi. apo imazhi i shkrimtarit që është “mbret / pa stoli pa roja / e oborrtarë“, duke treguar “pushtetin e tij” të plotë mbi botën e tij të krijimit.

Gjuha që përdoret në poezinë “Të jesh shkrimtar” është shumë metaforike dhe ngjall imazhe të forta, duke e bërë poezinë që të përthyejë fjalët në vargje si përthyhet drita në ngjyra në pikat e shiut në ajër, që formojnë ylberin. Poeti përdor fjali të gjata dhe vargje me kuptim të thellë e të përthyera.

Fjalët që përdor poeti Ibrahim Kadriu në poezinë “Të jesh shkrimtar” janë të thjeshta dhe të kuptueshme, por me një domethënie të thellë, ai përdor vargje që kanë një kuptim metaforik dhe të fshehtë, duke u përqendruar tek idea e botës së shkrimtarit, që është një botë e ndryshme nga ajo e përditshme. Psh: ndërsa në vargun e parë, ai përdor frazën “formuar në veten e parë“, që simbolizon krijimin e një bote të re nga shkrimtari, ndërsa në vargun e dytë, ai përdor fjalën “hatashme” duke e zgjeruar hapësirën e mendimit të lexuesit me idenë se shkrimtari ka mundësi të pakufizuara për të krijuar botën e tij.

Gjithashtu në vijim në vargun e tretë, Kadriu përshkruan shkrimtarin si një ushtar të disiplinuar që pas disa “ushtrime të rrezikshme” presin “urdhrat nga krijuesi“. Kjo metaforë simbolizon procesin e krijimit të një vepre letrare, ku shkrimtari duhet të punojë shumë dhe të jetojë në vetmi, duke e bërë krijuesin në këtë rast të japë urdhrat.

Poeti duke përdorur fjalë të thjeshta si: “kulla”, “rrugë”, “sirtar” apo shprehjet : “mundësi të hatashme”, “shtesë kohë”, “vetminë e ditës dhe natës”, “sipas urdhrit të shkrimtarit”, “kulla ndërton e shtron rrugë “ etj fjalë e fraza me një kuptim të thjeshtë por të vendosura në vargje si gurët e një bazamenti për monument, na e bën këtë poezi të dukëshme që prej së largu nga dritësimi dhe forca e saj.

Stili i vargut të Kadriut është shumë i ndjeshëm dhe i emocionueshëm, me vargje që shpalosin imazhe të ndryshme dhe të thella të botës së shkrimtarit. Ai përdor metafora dhe simbole për të përshkruar idenë e shkrimtarit si një qenie e lirë dhe e ndryshme nga të tjerët, e cila ka mundësinë dhe forcën për të krijuar botën e vet dhe për të sunduar në të. Vargjet e tij janë të qarta dhe të lehta për t’u kuptuar, por me një ngarkesë të thellë emocionale që e bën poezinë të ndjeshme dhe të përshtatshme për të gjithë ata që mund të ndjehen të identifikuar me idenë e shkrimtarit si një krijues që jeton në botën e tij të veçantë.

Të kuptojmë një gjë, tema e poezisë “Të jesh shkrimtar” e Ibrahim Kadriut nuk ka një referencë direkte ndaj ndonjë poeti shqiptar apo botëror, ndonëse tematika e poezisë dhe stilistika e saj kanë karakteristika të ngjashme me disa poezi të shkruara nga poetë të ndryshëm.

Kështu, tema e krijimit si proces i vetëdijshëm dhe i vështirë është e ngjashme me tematikën e disa poezive të poetëve si Lasgush Poradeci, Migjeni, Mitrush Kuteli dhe shumë të tjerë, po ashtu stilistika e vargut të shkurtër dhe përdorimi i metaforave janë elemente të përdorura nga shumë poetë, por që në krijimet e Kadriut identifikohen me stilin e tij tipik.

Jo vetëm kaqë, por Ibrahim Kadriu për të shkruar këtë poezi ka parë së pari veten e tij, botën e tij shpirtërore dhe ka zbrazur nëpër vargje ndjenjat dhe mendimet e tij për misionin që i ka ngarkuar vetes, duke bërë që ne të shohim te kjo poezi së pari portretin e tij, që shpirtërisht ngjan me tonin.

Është një poezi që na bën krenar ne krijuesve me misionin tonë, pse vargjet e tij jo vetëm që ndjehen shpirtërisht prej nesh, por na lartësojnë moralisht dhe na bëjnë falnderues ndaj tij.