Të më ngjallësh-Fatmir R Gjata


Fatmir R Gjata

Të më ngjallësh dhe njëherë

të më bësh prapë djalë të ri

E të plakesha gjithë kohën

duke të mbajtur në gji

Gjersa mishi të më tretej

në qafim të përmalluar

Përmbi buzë të lemerisur

përmbi sytë e tu të shkruar.

Të shtrëngojam aqë fortë

sa të bëheshin një tërë

Lindim pluhur thotë bibla

por unë dua të vdes rërë

Të më shkelë këmbë e saj

nëpër bregun me tallaz

Ta shikojam dhe i vdekur

kur një hënëz i vjen pas.

Edhe ferrin do durojam

të më digjte zjarr e flakë

Të më shkrinte gjithë trupin

e të mbetesha pa gjak

Kocka do mjaftonte pakëz

të rilindja me magji

Sa të shoh kur qesh e lumtur

si të ishte perëndi.