Të mëdha e të vogla – krejt dushk e gogla”-Sadik Përvetica


Në odën e burrave (ku ishte i pranishëm edhe Hardahushi, sepse…A mund të bëhet diku ndonjë tubim, e të mos jetë aty edhe ai?!) qëlloi edhe një njeri shakaxhi (mos na lashtë Zoti kurrë pa ta!). E thërrisnin: Dodë.

Dikush nga të pranishmit që e njihte mirë, e luti Dodën që të fliste diç për aktualitetin në skenën dhe në jetën shqiptare të atyre ditëve.

Doda ngurroi pak në fillim. Mirëpo, kur lutjes së të parit, iu bashkuan edhe ca të tjerë, duke e nxitur me fjalët: “Hajt, Dodë, hajt! Folna diçka”, Doda, me një buzëqeshje të veçantë (si ai këngëtari që akordon paraprakisht telat e çiftelisë), u ul këmbëkryq, u mendua pak dhe, duke dredhur kokën, ia filloi:

“Hëm! Mor burra…Ju e dini që unë nuk kam shumë shkollë, ndaj, druaj se nuk di të flas. Mirëpo, meqë ju po më nderoni dhe po insistoni, Unë po flas, por, ju lutem, më ndihmoni edhe ju. E desha të flas për njëfarë pune…, për njëfarë veprimi, të cilit, ndoshta unë nuk po ia di mirë emrin, por… Është një sjellje e përgjithshme jona, një sellje aktuale, pra, por shumë e çuditshme, të cilën ne shqiptarët sot, duhet ta … të gjithë së bashku. Mirëpo…ja që emri i asaj pune…, i atij veprimi, apo i asaj sjelljeje, tani mua nuk po më kujtohet saktësisht…Hëm! Oh, bre! Qysh më doli nga mendja?!…Fillon, më duket, me tri shkronjat e para: D,E,M…Mirëpo…Mirëpo vazhdimi nuk po më kujtohet. Oh, bre! Ndihmomni dikush, ju lutem, ndihmomni”

-Mos është fjala: demokraci? -pyeti, i pari, Hardahushi.

-Jo…Nuk është, por…ka lidhje me të -i shkoi buza në gaz Dodës.

-Mos është fjala: demonstrim? -pyeti tjetri.

-Oh, bre!…Shumë e afërt me të, por… as ajo nuk është -gjegji Doda.

-Mos është fjala: demografi? -e gjeti edhe një fjalë që fillonte me ato shkronja, një tjetër.

-Ka lidhje edhe me atë që e përmende, por…nuk është. Aiiii-ih bre! Qysh më doli nga mendja?! Po më vjen inat edhe nga vetvetja -i vuri në garë të gjithë për gjetjen e fjalës që kërkonte, Doda, i cili vazhdoi: Shumë në modë dhe shumë aktuale është sot ajo ndër ne, por…!

-Mos është fjala: demarkacion? -thirri njëri nga të rinjtë atje nga fundi i odës, i gëzuar që gjeti edhe një fjalë, e cila fillonte me po ato germa.

-Shumë ka lidhje edhe me atë fjalë që përmende ti, por…nuk është as ajo -foli kinse me keqardhje, Doda.

-Demolim? -pyeti njëri që dikur kishte pasur shumë punë me ata që kishin vepruar sipas kuptimit të asaj fjale.

-…Ka lidhje në kuptim edhe me atë, sepse edhe ajo punë emërtohet me atë fjalë (që nuk po më kujtohet)! Zaten, edhe ajo demolon e shkatërron çdo gjë që vë përpara, por…

-D,E,M?! Mos është: demi? More, mos është mëzat? Tarak? – u ngut e foli edhe një tjetër.

-Besa edhe tarak është sa të duash ai që vepron sipas kuptimit të asaj fjale. Megjithatë…as ajo nuk është -qeshi këtë herë Doda.

-Shih, shih! Prej demokracisë, erdhëm deri te taraku! Dhe me të gjitha këto fjalë paska lidhje ajo farë fjale; ajo farë pune; ajo farë sjelljeje! Tash njëmend, edhe mua po më intereson puna e saj: cila koka ajo fjalë që paska lidhje me gjithë këto fjalë -foli një plak, pranë Dodës.

-Paj…Siç thashë, ajo është tepër në modë sot ndër ne, axhë -vazhdoi Doda, gjithnjë po me atë buzagaz dhe me atë mjeshtri të të folurit, me të cilën nxiste masën për të menduar…

Gjithkund, kahdo që të sillesh, veprimet e saj ndër ne i sheh me sytë tu, por…Shumica prej nesh i mbyllim sytë dhe veshët pranë saj, sepse…Ajo paraqitet me fjalë të ëmbla; të buta e mikluese; me fjalë që janë në modë sot! Është fjalë që e ha pazari më së shumti, dhe askush gati nuk mendon më gjatë për pasojat dhe dëmet e mëdha që sjell ajo, gjegjësisht veprimi i saj: shkatërrues, mashtrues e verbues -e sillte dhe e sillte fjalën tërkuzë, në mes gjithë atyre njerëzve, Doda!

-Mos është fjala: demagogji, or? -pyeti njëri që nuk kishte folur ende, deri atëherë.

-Hëëëëëh! Të lumtë, djalo, se…! Pikërisht ajo është -foli Doda, me gëzim që erdhi deri te fjala aq e dëshiruar (dhe duke e vjedhur me sy nga pak Hardahushin, i cili gjithmonë e kishte gojën plot…)

-Domethënë, ajo fjalë, me sa po kuptoj unë -foli prapë plaku -përfshika të gjithë ata njerëz që ndryshe flasin, e ndryshe veprojnë?

-Ha-ha-ha! Paj, pikërisht ashtu është. Ti shumë mirë e ke kuptuar, axhë -sqaroi prapë Doda, derisa plaku vazhdoi prapë, me habi:

-Njëmend, kjofarë sjelljeje sot është përhapur shumë ndër ne, megjithëse edhe feja e ndalon! Mirëpo…Hëm! Boll shumë njerëz, njëmend paraqiten me fjalë shumë të mira para të tjerëve, kurse, në tjetrën anë, kur ua sheh punën…! Hëm! Qysh i thatë asaj fjale, qysh?! Shpjegomani edhe një herë, mos pritofshi -e luti plaku të të riun.

-De-ma-go-gji! -ia përsëriti fjalën duke e ndarë në rrokje, i riu, i cili ia sqaroi edhe kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale: Veprim shumë mashtrues dhe shkatërrues, i cili sot, për fat të keq, prek gjithë kulturën tonë; gjithë politikën, diplomacinë tonë të brendshme dhe të jashtme…! Demagogjia shkatërron arsimin, shkencën si dhe gjithë punën e mbarë e të domosdoshme kombëtare – pikësynimin tonë kryesor…

-Njëmend qenka tarak se jo mahi, kjo farë fjale! Tash edhe unë e kuptova -përfundoi plaku.

-Tarak me brirë që mbyt dhe shkatërron çdo gjë në heshtje -e plotësoi mendimin e të parit, edhe një tjetër.