TË NDRIÇUARIT…


Zyba Hysa

TË NDRIÇUARIT…
Jeta më lëshoi mbi krahë të zgjatura,
Më pritën si të bija mbi pupla,
Isha e re e s’dija ç’është e shëmtuara,
S’dija sinqerisht, s’dija,
Ç’ishte e bukura!
Rashë si prej qielli,
U prita siç toka pret rreze dielli,
Në prehje dashurore, kurrë s’ka prehje,
Po ku ta dija se në dalldisjet e mia,
“Kurth” do më ngrinte dashuria!
S’kisha dëgjuar atëherë për qerosin,
Që të mos flinte,
Shtratin e mbushte me driza,
Të ruante vreshtin nga njerëzit pa “korniza”,
Ashtu dhe jeta s’është veç dalldisje,
S’është siç duket nga jashtë edhe brenda,
Ku ta dija unë e parritura,
Se lumturia është sikur të lëpishë,
Mjaltë mbi gjemba
Dhe se ka shumë të papritura!!

About Post Author