Të pikturosh me prekje…Eva Gjoni

Ishte mbasdite. Gleni mezi priste të nesërmen. Do kishte një eklips të plotë të diellit, fenomen që ishte shfaqur para 99 vjetësh. Ai ishte student i vitit të fundit për pikturë, donte ta pikturonte eklipsin, ta kishte si punim për temën e diplomës. I kishte thënë dhe Elmes të vinte në shtëpinë e tij ta shikonin së bashku.

Elma i bie derës, ai ishte në ballkon me kavaletën dhe telajon gati.

– Hyre Elma, dera është hapur – i thirri ai nga ballkoni.

Ajo i vajti pranë, nxori nga çanta syzet që kishte marrë për të parë eklipsin, mezi i kishte gjetur, të gjithë ishin dyndur për të blerë.

– Vendosi – i thotë.

– Jo – thotë Geni.

– Dua ta shikoj me sy të lirë.

– Çfarë, je në vete? Do dëmtohesh në shikim, jo në asnjë mënyrë – i tha ajo prerazi.

– Dua ta përjetoj në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai xham mbrojtës më duket se më shkëput lidhjen direkt me eklipsin, jo!

– Të lutem, vendosi se erdhi koha, të kam xhan, bëje për mua, kam merak, të lutem!

E puth, ja vendos syzet atij, pastaj vetes.

Filloi, dielli po humbiste ngadalë në errësirën që krijonte hëna.

Elma ishte e përqendruar dhe nuk pa që Gleni i kishte hequr syzet.

– Glen, kam diçka për të thënë, por mbas eklipsit… qëëëë do të të bëjë të lumtur.

– Çfarë? Ma thuaj tani, shpejt…

– Prit dhe pak, 10 minuta zgjat eklipsi – i tha ajo.

Glenit iu krijua një njollë e madhe si blu me konture të shndritshme, filloi të fërkonte sytë dhe pa një dritë të fortë, pastaj nuk shikonte më asgjë…

Elma ktheu kokën nga ai për t’i thënë: “ja, mbaroi, tani do të të them…”

Ai ishte pa syze.

– Glen, çfarë ke?

– Pse pa syze?

Gleni fërkonte sytë, ishte në ankth.

– Nuk shikoj, nuk e di, i hoqa ta shikoja pa syze, por nuk di çfarë kam…

– Glen, Glen, qetësohu, mbase është vetëm një moment – e mori nga dora për ta futur brenda.

– Elma, duhet të shkoj te mjeku, kam frikë se do humbas shikimin, të lutem, të ikim urgjent.

Dëmtimi ishte i pakthyeshëm. Gleni nuk mund të shikonte më. Kishte dëmtuar irisin dhe beben e syrit, ishte në gjendjen e retinopatisë diellore, verbuar nga dielli.

Ishte një dramë që ai nuk po mundej ta kapërcente, nuk donte të takonte asnjeri, as Elmes i kishte kërkuar të shikonte jetën e saj, nuk i duhej një i verbër si ai.

Elma, me përpjekjet e saj pa sukses, u dorëzua mbas katër muajve, gjendja e saj po ndryshonte, nuk donte të shtonte probleme të tjera për Glenin. Njëherë, gjatë debateve që patën, ai e kishte pyetur se çfarë do i thoshte atë ditë, por ajo iu përgjigj se ishte diçka që i përkiste asaj tashmë dhe ai nuk do e merrte vesh kurrë.

Në pamundësi për të qenë përsëri bashkë, Elma vendosi të largohej për të jetuar sa më larg. Ajo nuk i tregoi se ishte shtatzënë, nuk dëshironte ta rëndonte gjendjen e tij. Gleni e donte shumë dhe do vuante së tepërmi pamundësinë e tij për t’u kujdesur për të.

Pastaj, kur fëmija të vinte në jetë, ta merrte në krahë dhe mos kishte mundësi ta shikonte. Këtë gjë nuk do mundej ta përballonte, shpirti i tij ishte shumë i ndjeshëm, vlerësonte çdo detaj jetësor. Kishte pikturuar çdo gjë që tregonte jetë, çdo gjë që i fliste shpirtit të tij. Elma zhytej në pikturat e tij, ishin një botë ku ajo ndihej e mirëpritur dhe shpirti i tij e pushtonte… Dhe të mendosh mos të mundej të shikonte dhe pikturonte të bijën, krijesën më jetësore të tij. E shikonte jetën me ngjyra. Ai ishte ëndërrimtar, gjithmonë i fliste asaj për atë jetë që i priste…

Do t’i bëj fëmijës tim një dhomë të pikturuar në të katër muret, që ai të ndihet sikur është në mes të një pylli të bukur, me lule, kafshë, shpendë, do vendos zëra zogjsh në sfond, dhe tinguj të një flladi të lehtë… do shikoj dhe pikturoj buzëqeshjen e tij… – fliste dhe humbiste në imagjinatë duke e shijuar çdo gjë si reale.

Ishin të fejuar dhe mbas diplomimit do martoheshin…

Elma e rriti e vetme vajzën e tyre, kur u largua mori me vete dy piktura të tij. Në njërën ishte ajo, e veshur me një fustan rozë mëndafshi që binte butë mbi format e trupit të saj, të cilat ai i kishte pikturuar me aq ndjenjë sa të ndillnin të zgjasje dorën t’i prekje ashtu butësisht si i kishte prekur peneli i tij dhe piktura tjetër një autoportret.

Gjatë viteve nuk i kishte treguar të bijës për të. E kishte quajtur një lidhje të gabuar dhe asgjë më shumë. Atë ditë ishte ditëlindja e saj e 20-të, i kishte thënë që do i bënte një dhuratë nga më të veçantat që mund t’i bëhej ndonjëherë në jetë.

– Bija ime, këtu kam dy piktura, janë për ty, mund t’i shikosh.

Eni filloi t’i hiqte paketimin, shikon pikturën e parë, befasohet sikur shikon veten, si ka mundësi të bëhej një pikturë e tillë pa praninë e saj, pa pozuar.

– Ma… çfarë është kjo?!!!

– Jam unë në moshën tënde.

– Kaq shumë ngjajmë!!!

– Hap tjetrën – i tha qetë ajo.

Eni mori në duar portretin, ishte një djalë me sy jeshil, flokë me onde deri te supet, me një këmishë bojëqielli, ishte shumë i bukur, vështrimi i tij të prekte, të lexonte, ndiheshe e tejdukshme.

– Kush është – pyeti me zë të fikur, kishte frikë nga përgjigjja, por dhe donte të ishte ajo që shpresonte.

– Është babai yt!

– Pse nuk ma ke treguar më parë? Kam pasur nevojë ta njihja si ishte!

– Sepse tani mendoj të tregoj për të dhe mund të shkojmë ta shikojmë.

– Po pse jo më parë?

– Nuk ka dashur të më takojë dhe para një viti u mundova të lidhesha nëpërmjet motrës së tij por nuk dëshironte të dinte asgjë për mua. Për ty nuk e di që ke ardhur në jetë.

– Hajde këtu pranë meje, dua të tregoj historinë e jetës time.

Eni u ul pranë saj si një fëmijë që priste të ndodhte mrekullia.

Studioja ishte pranë shtëpisë së tij, nuk i duhej shumë të ecte.

Hynë brenda. Përpara tyre u shfaq djaloshi i pikturës, i thinjur, i dobësuar, me rrathë të zinj poshtë syve.

– Përshëndetje, jam Eni, folëm bashkë në telefon.

– Përshëndetje, nuk qenkeni vetëm?… kush është me ju?

– Mamaja ime!

– Përshëndetje – thotë duke u drejtuar nga Elma, asaj po i mbaronin fuqitë, një gropë brenda saj po e përpinte të gjithën, po zvogëlohej e i dukej sikur u tret në një pikë.

– Do bëni të dyja portret?

– Jo – thotë Eni.

Elma ndërhyn: – Po, do bëj dhe unë!

Një dëshirë e brendshme iu zgjua dhe filloi të marrë frymë fort, nuk donte të binte aty, kishte frikë se nuk do mundej të ngrihej më. Mund të vdiste, nuk donte t’i ndodhte gjë në këto momente, duhej të bëhej e fortë për Enin.

Ai i dëgjoi zërin dhe peneli që kishte iu drodh.

– Nga jeni? Ku jetoni? – pyeti me shpejtësi me një zë nervoz.

Elma i tha që ishin me origjinë nga ky vend, por kishte lindur dhe jetonin shumë larg prej këtu.

– Ai zë më kujton dikë shumë të veçantë për mua, kam shumë vite pa e dëgjuar.

– E flisni shumë mirë gjuhën tonë – i tha ai.

– Po, nëna ime është kujdesur për këtë dhe më pas të njëjtën gjë bëra unë me time bijë.

– Me kë do fillojmë – tha ai për të dalë nga gjendja në të cilën ndodhej.

– Me mua – tha Elma.

Ai filloi ta prekte ngadalë në pjesën e syve, në kokë iu shfaq ajo Elma e tij, lëkura nuk kishte atë njomësi si e mbushur me vesë. Duart përjetonin tjetër gjë, në trurin e tij shfaqeshin të tjera imazhe.

Vazhdoi me fytyrën, buzët, qafën, po i dridheshin duart.

U ul, kërkoi falje:

– Nuk po mundem, më kujtoni dikë, nuk je ai person, por kur ju prek, trupi juaj më kujton atë. Nuk ju bëj dot portret, nuk mundem!

– Të lutem, më bëni si ju flet fytyra ime, si ju shfaqem.

– Por do bëj atë, jo ju!

– Bëjeni, unë do e pranoj si punë.

Ai filloi të pikturonte atë si e mbante mend dhe i shtonte ndryshimet që prekte në fytyrën e saj.

Asnjë piktor në botë, asnjë fotograf nuk mund ta tregonte më mirë atë sa peneli i tij.

Ema dhe Elma u befasuan me atë që panë, asnjë sy njerëzor nuk mund ta shikonte atë më mirë sa syri i shpirtit të tij.

Ajo filloi të qajë pa zë, donte t’i hidhej në qafë, ta përqafonte fort, kishte aq shumë mall sa do vdiste në krahët e tij.

I foli qetë:

– Ju faleminderit, keni bërë një mrekulli.

– Vërtet – i tha ai.

– Po po, tani bëni vajzën time.

Sa e preku Enin, i largoi duart menjëherë.

– Jo joooooo, kush jeni ju, jam në ëndërr, Elma je ti !!!???

Je e njëjta e re dhe e vjetër, jeni dy njësoj me diferencë moshe… çfarë po më ndodh, tani po më ikën dhe truri!!! Mos truri po i bënte lojëra të tilla, ishte lodhur nga imazhi i saj aty ndër vite, ishte lodhur nga mendimet për të dhe po hakmerrej duke i dhënë idenë se ajo ishte aty në dy kohë…

Elma i vajti pranë, me duar i preku fytyrën dhe e puthi në buzë, jam unë dhe vajza jote – i tha me një zë të qetë, të ëmbël, sikur i fliste një fëmije.

– Mban mend që të thashë para 20 vjetëve, në atë ditë vdekje për ne, që kisha një lajm? Lajmi ishte vajza jonë. Nuk ta kam thënë se nuk doja të rëndoheshe më shumë. E bëra për ty, ndaj u largova.

Ai kishte menduar se e braktisi…

– Unë kam një vajzë!!!

O Zot, unë kam një vajzë, qante, qeshte njëkohësisht dhe bërtiste me sa fuqi kishte, unë kam një vajzë…

– Afrohu këtu, unë të kam parë para se të lindje, ti ke fytyrën e nënës tënde, o Zot e di çfarë pamje ke. Kjo ishte një nga tmerret që mendoja, po të kisha fëmijë nuk do e shikoja kurrë, por unë të kam parë pa lindur. Ti je e bukur, o Zot të faleminderit, unë ju kam tani në mendjen time të dyja…

– Të lutem qëndroni me mua, unë mund të jem një baba i mirë, unë mund t’i përgjigjem nevojave të tua, unë mund të jem një burrë i mirë, unë mund t’ju jap dashuri pa fund, e kam pasur të mbyllur për 20 vjet rresht.

Eni mes lotësh i thoshte, po, po do jemi bashkë, dua të jem me ty baba, dua të shikoj mamin e lumtur.

Eva Gjoni