Ndiej një muzikë xhazi nën lëkurën time,
kur ngjitem në këtë verandë kurthesh.
Kurth i trëndafiltë në ecje. I njëjti plazh, rërë
tunduese. Kam uri për pohime të dhunshme.
Jam pusi e kaubojve që përgjon arratisjet.
Jam një eunuk që vuan nga deluzioni
i telepatisë.
Më tërheq kjo aventurë,
ku gjithçka vërtitet mes mosprekjeve.
Vërtitet duke vërtitur format.
Përse ndihem i transportuar?
Përballë një album, një cocktail ngjyrash,
rrumbullakësitë e fshehta. Në trurin tim
një buzëqeshje brakonieri, një dorë
e padukshme, një përpëlitje buzësh,
gjoksi, gjunjësh, vithesh. Trupi im pret
një ftesë, një fërgëllimë pëlhure
që lutet për shpëtim, që pret
me padurim të hidhet nga lartësitë.
Natyrisht i bukur ky kurth i trëndafiltë.
Vazhdon muzikë e xhazit nën lëkurën time.
– L.S.