Tek kujtimet-Suzana Rama


Këtu, do të vij të rri,

tek ky, i heshtur park,

nën këtë rrap,

degët ethshëm hap,

dhe dije, që jemi të dy,

kudo që jam, s’jam pa ty.

Tek ky rrap do të rri,

tek ky stol i blertë,

do bëj durim si trëndafili,

që mbas dimrit, bukur çel,

do të qesh, aty me ty,

me ëndrat, që lamë peng aty.

Ndoshta simbol mund të jetë,

ky rrap dhe për të tjerë në qytet,

kuptohet nga simbole emrash,

gdhëndur mbi stol, gërvishur lehtë

por ne të dy,simbolet i lamë,

mbi trungun e rrapit të lartë.

Këtu do të vij, të rri e kujtoj,

kohën tonë të bukur, të artë,

do të flas me vehte, do këndoj,

si dikur kur ishim të dy bashkë,

syrit, imazhet e tua do ti vesh,

përfshirë kujtimesh, do tëqesh.