Tek Piramidat nga ana jonë shkruhej germa A nga ana greke germa E-Nga Albert Z. Zholi


Flet për Telegraf, ish-oficeri i kufirit jugor Mustafa Bakiasi: Në gjithë kufirin me Greqinë ka pasur rreth 80 piramida

– Tek Piramidat nga ana jonë shkruhej germa A nga ana greke germa E

-Dikur në kufirin tonë nuk kalonte as miza, sot kalojnë kolona me emigrantë dhe kontrabandistë

-Piramidat mirëmbaheshin dhe ishin ndërtuar deri 500 metër nga Brezi Kufitar

 79-vjetori i “Ditës së Forcave të Kufirit”, 25 prill 1945-2024

Albert Z. ZHOLI

Dhe pse po afron tek të 90-at, ish-oficeri i kufirit, Mustafa Bakiasi ka një kujtesë të ccuditëshme dhe  ruan detaje të pafundme nga jeta kufitare. Për të vitet e para pas cclirimit ishin vitet më të vështira, por dhe shumë të vrullshme. Shqiëpria kishte dalë nga lufta e shkatërruar. Mungonin ushqimet por edhe baza materiale për shumë institucione. Mustafa Bakiasi ka punuar rreth 21 vjet si oficer në kufirin shqiptaro-grek. Në këto vite ai ka kaluar në të gjitha pikat kufitare nga Kepi Stillos në Sarandë deri në Korçë. Ishin vite të vështira, por dashuria mes ushtrisë dhe popullit ishte shumë e madhe. Një dashuri e tillë ishte dhe me minoritetin grek. Ai tregon se “Dikur në kufirin tonë nuk kalonte as miza, sot kalojnë kolona me emigrantë dhe kontrabandistë”.

–          Një jetë në kufi. Si i kujtoni ato ditë të vështira kur Shqipëria spao kishte dalë nga lufta dhe nuk kishte trashëguar asgjë në ekonomi dhe ushtri? Si filloi të organizohej  dhe të mbrohej kufiri ynë shtetëror?

–          Vitet e para pas luftës ishin vite shumë shumë të vështira. Shqipëria ishte e djegur dhe e shkatërruar. Detyrë kryesore ishte mbrojtja e kufijve tanë tokësorë. Kështu filloi të organizoheshin Forcat e kufirit. Në fillim si posta shrëbenin shtëpitë e fshatarëve që ishin në zonat kufitare. Pra nuk kishim asnjë godinë si postë dhe ende nuk ishin ndërtuar piramidat si vijë ndarëse e kufirit. Si postë shërbenin dhe kasolle të ndërtuara me mjete rrethanore. Ose më mirë të themi se .. Postat kufitare e komandat e reparteve u vendosën nëpër kasolle e shtëpi të boshatisura të fshatrave buzë kufirit. Këto ndërtesa ishin ndërtuar nga partizanët dhe më pas nga kufitarët me mjete rrethanore. Ndërsa shumë të tjerë u strehuan në stane apo shpella që ndodheshin pranë kufirit. Ndërtimi i postave filloi nga viti 1949. Në pikat kufitare shërbenin ushtarët më të besuar ose si quheshin atë kohë me përbërje të mirë biografike. Pas vitit 1949, Enver Hozha dha urdhër që të ndërtohessin shtëpi për familjet e oficerëve që shërbenin në kufi. Pas prishjes së marrëdhënieve me shtetin jugosllav, në vitet 1948-1990, u krijua Drejtoria e Kufirit dhe sektorët e kufirit, respektivisht N1 e N2, me qendër në Korçë e Sarandë. Më pas këto u emërtuan si “Brigada Kufitare”, si edhe batalione kufitare në veri dhe verilindje të vendit, si në Librazhd, Peshkopi, Kukës, Tropojë e Shkodër. Po kështu dhe në kufirin bregdetar Shëngjin, Durrës, Vlorë dhe Himarë u dislokuan batalione kufitare me struktura e organe të posaçme. Unë kam shërbyer më shumë në jug të vendit në Gjirokastër- Kakavijë. Mund të them se Kakavija ka qenë një pikë lidhëse dhe doganë me Greqinë ku lëvizjet ishin më shumë se kudo dhe provokacionet të të shumta. Këto shtëpi të ndërtoheshin afër pikave kufitare. Në një takim që kemi pasur me Enver Hoxhën ne 3 përgjegjësit e kufirit juglindor na tha: Ju oficerë dhe ushtarë të kufirit jeni diplomatët më të rëndësishëm të Shqipërisë. Kjo për arsyen se ne ishim në kontakt të përhershëm me të huajt dhe vigjilenca jonë, sjellja jonë, përkushtimi ynë, ishte paraqitja e parë që i bëhej shtetit shqiptar. Shteti atë kohë i kishte dhënë rëndësi të madhe forcave të kufirit pasi ka pasur vazhdimisht provokacione dhe diversantë deri në vitet 1980.

Sot flitet shumë për piramidat në kufi. Ku dhe si ishin vendosur piramidat? Çfarë kriteresh kishte për vendosjen e tyre?

Si ish-ushtarak i forcave të kufirit për 21 vjet, dhe si
qytetar i RP Shqipërisë, më çuditin shumë diskutime dhe deklarata të papërgjegjshme nga disa deputetë që kanë deklaruar nuk ka pasur piramida. Unë jam dëshmitar okular që e kam shkelur me dhjetëra herë kufirin e RPSH, që nga Kepi i Stillos, Piramida nr. 79, deri në
fshatin Vërmik në Devoll, ku them me përgjegjësi, se kanë ekzistuar piramida në gjithë kufirin e jugut. Megjithëse i moshuar, jam i gatshëm t’ju tregoj në terrenin konkret piramidat, që kanë ekzistuar. Piramida në gjithë kufirin shqiptaro-grek. Natyrisht ka nevojë për riparim të tyre se në shumë sektorë malorë, erozioni edhe i ka dëmtuar. Por nuk i ka zhdukur. Edhe në periudhën e para 1962-shit, sidomos mbas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, u bënë përpjekje për riparimin e piramidave, por pala greke nuk shprehu gatishmëri.

-Kur dhe ku ka filluar ndërtimi i piramidave?

Ndërtimi i piramidave filloi pas vitit 1920 mbasi u formua një Komision Ndërkombëtar ku ishin pjesëtarë pala shqiptare dhe greke Ato u ndanë në tre grupime, Grupimi i parë nga Pogoni i Gjirokastrës dhe përfundon në territorin e Sarandës në Stillo. Grupimi i dytë fillon nga Qafa e
Kazanit Kolonjë deri në Nemërçkë të Përmetit. Grupimi i tretë në zonën e Korçës Devollit.

Në këto tre grupime sa piramida ka pasur?

Në gjithë këto tre grupime ka pasur afërsisht rreth 80 piramida. Dikur në kufirin tonë nuk kalonte as miza, sot kalojnë kolona me emigrantë dhe kontrabandistë. Kishim një organizim të përsosur por edhe ushtarë të sakrificës.  Mbi të gjitha unitet. Çdo postë kufitare kishte komandant, komisar, itendent, përgjegjës qeni dhe efektivin. Shteti kujdesej shumë mirë dhe armatimi ishte i bollshëm.

Sa poste kufitare ka pasur në këto zona?

Ka pasur afërsisht 15 posta në zonën Kolonjë- Leskovik -Përmet. Në Sektorin Pogon-Gjirokastër deri në Sarandë ka pasur 13 posta dhe në zonën e Sarandës deri në Kepin e Stillos kemi pasur 14 posta. Mes postave kishte lidhje radio-telefonike dhe njëkohësisht bashkëpunim në shtrirjen e vrojtimeve.

Postat kufitare sa larg piramidave vendoseshin?

Postat janë në Brezin Kufitar. Kufiri ndahet në Brez kufitar 500 në thellësi të Piramidës. Zona kufitare nga piramida deri 2 km në thellësi. E gjithë kjo zonë ishte nën mbikqyrjen e postave kufitare. Postat ishin vendosur midis Brezit të Kufirit dhe të piramidës në bazë të terrenit.

Sa ushtarë kishte një postë kufiri?

Një postë kishte nga 25-35 ushtarë. Pra varej nga rëndësia, ose më mirë të themi nga pozicioni gjeografik.

Çdo postë a kishte qen kufiri?

Po, çdo postë kishte qen kufiri (qen me erë si i thoshim ne). Kjo ishte e padiskutueshme. Qentë ishin të stërvitur në ëmnyrë të shkëlqyer.

Po me qentë e kufirit si veprohej?

Çdo postë kishte qenin e tij, me emrin e tij, kartelën e
tij dhe njihte vetëm instruktorin, pasi kishte kod bisede me të. Çdo qen kishte normë ushqimi dhe çdo qen dhe instruktori përgatiteshin në Shkollën e Instruksionit të qenve në Tiranë.

 Si kontrollohej zona kufitare?

Në brezin kufitar ndërtoheshin mjete tekniko-xheniere dhe sinjalizimi, që shërbenin për zbulimin e shkeljeve të kufirit.

Çfarë armatimi kishte një postë?

Posta kishte armë të lehta deri në mitraloz të lehtë, automatik dhe mitraloz të rëndë. Në mbështetje të forcave të kufirit ishin dhe forcat art-mitraljere të ushtrisë.

Si filloi mbrojtja e kufirit pas çlirimit të vendit?

Mbas Konferencës së Paqes 1946, më 25 prill 1946 u krijuan forcat e kufirit të drejtuara nga Divizioni i Mbrojtjes së Popullit. Forcat e Kufirit me Greqinë gjatë periudhës 1946-1990, janë karakterizuar nga trimëria, vigjilenca, vendosmëria për kalimin e vështirësive dhe korrektësia me shtetin fqinj. Forcat e kufirit përballuan me korrektësi e vigjilencë me qindra provokacione të ndërmarra nga qarqe nacionaliste shoviniste greke. Sidomos nga viti 1946 deri në 1965, por qëndrimi ynë ka qenë i kujdesshëm duke iu shmangur çdo konfrontimi ushtarak me shtetin fqinj.

A kishin përmasa të caktuara piramidat?

Piramidat ishin në formë konike me bazament të gjerë me lartësi deri, 1,5 metër. Nga ana e kufirit grek shkruhej germa E. Nga ana jonë germa A. 
.

A kishin mbështetje tek populli forcat e kufirit?

Forcat e kufirit gjatë gjithë ekzistencës së tyre kanë pasur mbështetjen e gjithanshme të popullit të zonës dhe të brezit kufitar. Në zonën kufitare ekzistonin edhe çeta vullnetare në shërbim të kufirit.

Ku kishte më shumë ngjarje për arratisje?

Sektori me më shumë ngjarje dhe provokacione nga ana e shtetit fqinj ka pasur në gjithë zonën e jugut, por në veçanti sektori i Gjirokastrës, Konispolit, Leskovikut dhe Bilishtit.

Po popullsia e zonës së minoritetit a e ndihmonte kufirin?

Vlen për t’u përmendur zona e minoritetit si në zonën e Sarandës,
por edhe të Gjirokastrës. Ata festonin bashkë me kufitarët festat kombëtare dhe çdo manifestim popullor. Shteti shqiptar e ka trajtuar popullin e minoritetit konform ligjeve ndërkombëtare me të drejta të barabarta me popullin shqiptar si në fushën e arsimit, të shëndetësisë, të punësimit. Madje elektrifikimi i Dropullit dhe çuarja e ujit nëpër fshatra u bë para fshatrave të tjerë në gjithë Shqipërinë. Kjo lidhje e ngushtë midis minoritetit dhe popullit në këto krahina u skalit në veçanti në Luftën Nacional-Çlirimtare, ku u krijuan formacione partizane si batalioni “Thanas Ziko” “Minoriteti” dhe kjo vazhdoi dhe në rindërtimin e vendit pas çlirimit. Nga populli i minoritetit kanë dalë heronj të popullit si; Thanas Ziko, Theodhori Mastora si dhe shumë Heronj të Punës Socialiste.

Po mendimi juaj si veteran i kufirit?

Unë si veteran, i vlerësoj përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe parlamentit shqiptar për forcimin e marrëdhënieve midis dy popujve tanë Shqipëri-Greqi. E përshëndes në veçanti; qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me problemin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi ashtu edhe vizitën e Kryeparlamentarit Meta në Greqi.

Po në Ninat që u arratis Bilal Xhaferi a kishte piramidë?

Po ka pasur piramidë. Piramidat ndërtoheshin në kodrina  në
pika të dukshme, ku mundësisht piramida të shihte piramidën.  Por nuk kishte një distancë të përcaktuar fikse, se varej nga terreni, nga lartësia e vendosjes. Pra çdo gjë ishte relative.

Nga kush varej kufiri në atë kohë?

Strukturat e organizimit të në RPSH kufirit kanë pësuar ndryshime disa herë por vareshin gjithmonë nga Ministria e Brendshme.

Po në vijën bregdetare a kishte pika kufitare?

Pikat kufitare vareshin nga batalionet e kufirit. Në bregdet pikat e kufirit ishin më të rralla.

Po sot a janë këto piramida?

Ato janë lënë në mëshirën e fatit, por ekzistojnë. Sot nuk ka posta kufitare dhe ndërtesat e postave kufitare janë në mëshirë të fatit ose në pronësi të banorëve. Disa janë kthyer në stalla bagëtish.

Kur shkonit për kontroll sa kohë rrije larg shtëpisë?

Ne si Shtab i Komandës të batalionit duhet të shkonim 15 ditë në muaj në terren dhe flinim në postat kufitare. Marrëdhëniet e kuadrit me ushtarët nuk kishin distancim në mënyrën e jetesës dhe të ushqimit. Ishin marrëdhënie vëllazërore. Qendrat e batalionit ishin në Konispol, Jergucat, Leskovik, Bilisht. Një kohë kam qenë në batalionin e Gjirokastrës, ndërsa një periudhë në batalionin e Ersekë-Leskovik-Përmet.

Kush ishte zona më e rrezikshme?

Kufiri ka veçori të tjera, ku terrenin më të vështirë  e ka
pasur Gjirokastra, Kolonja dhe Bilishti.

Kur ishit ju në këtë detyrë kush ishte Ministër i
Brendshëm?

Në periudhë kur kam qenë oficer kufiri 1949-1972,  ministër
ishte Mehmet Shehu, më pas Kadri Hazbiu. Ishin të dy shumë kërkues dhe vinin në qendrat e batalioneve. Kur kishim mbledhje dhe analiza vinim ne në ministri.

Po nga pala greke, kishte po aq posta kufitare sa kishim
ne?

Jo nuk kishte, sepse e dinin që nga ne nuk u vinte asnjë sulm, pasi e kishim me Kushtetutë se nuk sulmonim dhe nuk provokonim.

Ku bëhej përgatitja e ushtarëve për kufirin jugor?

Përgatitja bëhej në qendrat e instruksionit si Tepelenë, Korçë, etj… Unë kam qenë komisar i
Qendrës së Instruksionit të ushtarëve të rinj për të shkuar në kufi në Tepelenë (1955) dhe në Korçë (1857). Kjo stërvitje zgjaste tre muaj. Në përfundim të përgatitjes bëhej betimi ushtarak. Ishte një program i veçantë për stërvitjen e ushtarëve. Ne i instruktonim ushtarët tanë të ishin të kujdesshëm ndaj provokimeve. Grekët na provokonin dhe ushtarët tanë tregoheshin të qetë. Për çdo provokim ne bënim evidentim të veçantë dhe në fund një raportim që ia nisnim Ministrisë së Jashtme, e cila bënte Notë proteste ndaj qeverisë greke. Nuk i përgjigjeshim provokimeve me kundërveprim. Ata hidhnin parulla, sharje ku ne tregoheshim të kujdesshëm. Kur rrezikohej jeta e ushtarit, ne i kundërpërgjigjeshim në distancë.

Sa vjet kini punuar në kufi?

Nga viti 1949 deri në vitin 1972. Në Tiranë erdha në vitin 1972 me detyrë zëvendës Komisar i Shkollës së Akademisë së Rendit (Shkolla e Lartë e MPB). Në vitin 1974 kam ardhur në Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Udhëheqjes deri në vitin 1984.