“Telenovela’ që po na vret të gjithëve”-Nga Boris Miska


Nga Boris Miska!



Prej ditësh vendi i ngjan një ode të madhe post-mortore ku konsumohen kafe, llafe e muhabete veresie për një ngjarje tronditëse të ndodhur në kërthizë të Shqipërisë.
Në cep, si ‘nuse’ me vello të zezë qëndron në këmbë viktima, Pëllumbi, i kallur tre herë në dhe:
Një herë nga familja në gropën e fshehjes, një herë nga farefisi e së fundmi edhe nga ne para/gjykuesit.
Ai nuk flet, ka vdekur i vrarë me katër plumba dhe vijon sërish të goditet, me dhe pa të drejtë nga gjithkush, para e nga pas shpine, nga afër e prej së largu.
Ekranet janë kthyer në poligone llafesh, analizash, në laborator kriminalistik, ekspertësh e psikologësh, lajmthithës e habere shpërndarës pa skrupuj, cak e dhimbje.
Përballë dëshmive të dyshimta, që ndërrojnë pozicion sikur të ishin gurë shahu, ‘duartrokitjes’ e justifikimit të vrasjes makabe, gishtit të drejtuar nga ‘burri dhe babai i dhunshëm’, akuzave me sperkla të dala prej gojësh e buzësh të ngjyera si për dasëm, pretencës së ‘prokurorëve’ pa prova e fakte, më pëlqen të mbaj ‘anën’ e viktimës edhe pse mund të më etiketojnë për atë që nuk jam, ‘avokat i djallit’.
Përfshirja e gjithë familjes në vrasje, me role e dëshmi të paramenduara e paravendosura me gjakftohtësi, është në llojin e vet si ato krimet që kanë ngjarë vetëm në pallate e kështjella mesjetare, ku me intriga e gjak është rrëzuar e fituar pushteti.
Por për fat të keq skena e Shënavlashit e Pëllumbi i gjorë si ‘aktor’ janë shumë të vegjël për një tragjedi siç po paraqitet me përmasa shekspirjane.
Në atë shtëpi modeste mund të luhet vetëm ndonjë seri telenovelash turke, ku vlojnë thashethemet e intrigat, kthehen filxhanë nga amvisa e gra pa punë, dëgjohen britma e çjerrje, preket thika e kërcet pisqolla si në karadak nga aktorë me karamustaqe.
Pëllumbi i ngratë ( këtë s’e them vetëm se ka ndërruar jetë) ishte thjeshtë një roje private pa pushkë, punë me tre turne, pa profile facebooku e Tik-Tok, me gjasë pa pushtet mbi familjen e vet, një burrë në dukje i zakonit dhe gozhduar i vdekur në bangën e të akuzuarve.
Ndërsa pjesa tjetër e vetëviktimizuar ishte e armatosur me ‘mjetet moderne’ të kohës. Si njohës të mirë të rrjeteve sociale e telenovelave arritën me mjeshtri të hedhin në tregun mediatik versionet e tyre, krijuan alibi të besueshme, jo një, por disa që të ishin sa më bindës në të drejtën e tyre për ta vrarë.
Gruaja e shtëpisë, me burrë të rivarrosur e tre fëmijë në qeli rend nëpër ekrane kurrizkthyer me kapuç ( gjoja nga turpi) të rrëfejë pa emocion jetën e saj, ‘ferrin’ e përjetuar nga bashkëjetesa e dhunshme me Pëllumbin tashmë me gojën mbyllur përjetë.
Përtej ekranit mijra të tjetë që përloten nga kjo ‘telenovelë’, me përbetimin ndër dhëmbë se ‘mirë ia bënë qenit’, ‘e paska merituar’, kështu do ia bëja edhe unë’, etj etj.
Të ngartit kërkush nuk mund t’i thotë ‘pushofsh i qetë’, sepse s’ka për t’u qetësuar kurrë, ndoshta nga faji që mori me vete e se tregoi asnjëherë, apo nga ajo që po i shohin sytë e dëgjojnë veshët edhe pse lart në atë jetë.
Atë s’mund ta gjykoj askush veç zotit, vetëm ai do i rezervojë vendin që meriton, në ferr si burrë e baba i keq, apo në pjesën tjetër aty ku pushojnë viktimat, të paragjykuarit, të përdorurit për qëllime që veç ai lart i di.