Tema:Njeriu dhe absurdi i lirisë…Emi Krosi


Leximi nuk vjen vetiu, por si dëshirë për dije. Por, leximi duhet kultivuar, ashtu si edhe shkrimi. Por, po të ndalojmë tek shkrimi, shkrimi në përmasën e tij shumëdimensionale, na bën herë të dobët dhe herë të fortë, kur bëhet fjala për të shkruar një vepër letrare.
Libri “Liria” e shkrimtarit vlonjat Eqerem Canaj, ka një trajtesë shumë të veçantë, me një narrativë sa surreale aq edhe ekzistencialiste. Terreni ku shtrihet sipas toponimeve është Labëria, Vlora dhe Gjirokastra.

Vështrimi tematik i rrjedhës së jetës së Parit të Parikut, ( që nga lindja dhe deri në burrërim), si një dedikim për burrërinë, trimërinë, lirinë, mikpritjen, të traditës labe, ku kurthet, pabesitë, tradhëtitë, e tkurrin “dimensionin njerëzor”, nuk është vetëm, një “mëkim” i lirisë me qumështin e amanetit të, brezave, por një përtej (ri)dimensionimi të lirisë së absurdit.

Koha e rrëfimit ka tre dimensione:
-dimensioni i parë: ( shtrirja përtej kohës së pakohë, si dimesion letraro-poetik);
– dimensioni i dytë:(koha universale, që nuk ka përcaktesë as fizike dhe as historike);
– dimensioni i tretë:(njëmendësia dhe realiteti ku jeta njerëzore pëson ndryshime, përmes kthesave të menjëhershme të saj, janë anatema sa sociale aq edhe iluzive).

Koha tjetër është e ardhmja. Duket sesi absurdi i njeriut, përmes tregimeve që lidhin edhe fabulën e romanit, “lidhet” pas personazhit të Parit. Në dukje, autori “skalit” një gjuhë të thukët letrare- estetike të lartë, me një dimension sa filozofik aq edhe absurd, sepse linja e romanit, ka një narrativë përmbajtësore, me fjalë të diskursit filozofik, se liria nuk është vetëm dimesion fillestar i njeriut, por një dimension jetësor. Liria është frymë, fjalë, jetë, ëndërr, ajër, kohë, histori, dimension, patrajtësi, filozofi, mendim, cak por herë- herë ligj dhe kufi. Linja romanore, i ngjan asaj “rrëmujës”, që sipas thënies hamletiane: “të jesh apo të mos jesh”, por për Sartrin; ” njeriu është i dënuar me lirinë” , sepse liria ka rregullat e caqet e saj, që njeriut rebel i duket si një “xhungël”, liria me rregulla.

Përmes shfletimit të librit, paragrafi: “- si të quajnë?”, preu zotëruesi i trapit. “Pari i Brahimajve, i Brahimajve të Parikut, e keni dëgjuar?”
“Ngrihu, të lëvizim sa s’është vonë, o bir! Koha jep shenja prishjeje e lumit nuk i zihet besë!”, f. 113, ku autori përcakton edhe “identitetin” e kryepersonazhit të tij. Tregimi “Porta e trëndafilave”, është shëndërrimi apo transferimi i vetëdijes në absurd, kotësi, neveri, ekzistencë, pafuqishmëri, pamundësi, paarsyeshmëri, duke u endur në kërkim të vetëvetes mespërmes tmerrit të kohës njerëzore dhe asaj letrare.

Libri ka një fjalës të pasur si me metafora, por edhe me fjalë të urta, dhe shprehje frazeologjike si: “Hip këtu të shohësh Stambollin” etj. Teksti sendërtohet nga shumë fjalëformime: emërdëgjuar/errëtajën/kushmuroftë/fjalëmbël/mëvetësia/tezgjahiste/fundmaji/trupçelik/mendimhumbur/leqendisur/zemërimtarëve/nënkorba/majëmalet/shpatmalet/gjysmëlakuriqe/djallokeqit/murëndarës/fjalëmjaltë/porsambërrituri/parambrëmje/shtatvigane/përgjatëditëve/frymënxituar/ frymëngrirë/ndërçastesh/ndeshtrashen/tymqitës/zëçjerrë/buzëradhonj/
zdërganave/majëmaleve/gjithëkohrave/ndërudhëtime/gjithëkoti/njeriubishë/kërkëndin/bredhëritje/erëkënd/dyerhapur/ ujëkaltër/nëndallgtë/udhakthimin/hallkeqi/hileqarisht etj., apo edhe fjalë të tilla si: ulërama/ergana/trapari.

Sëfundmi: liria është njësia matëse e “njeriut kafshë”, që e kemi brenda trupit tonë, si domosdoshmëri për të jetuar, ashtu siç autori shkruan në fund: “liria gjendet kudo dhe askund”!