Terrori psikologjik e mjedisor i vendlindjes-Nga Dr Selman Mëziu


       Nuk desha të isha dëshmitar i hidhëruar, i revoltuar e mbushur me zemërim. Aspak që lotët të më rrëshqitnin  faqeve të ashpërsueme. Nuk desha të mendoja ortekun e një zhdukeje. Jo vetëm për mua, por për njerëzit e mijë të dashur, të gjallë e në varre. Për tokën time që më ushqeu e më rriti. Për prindërit e mijë që u kujdesën shume, për neve (familjen prej dhjetë vetash). Mendojeni  mirë, jo një ditë e një natë, por gjithë jeta e tyre vuajtje, përpjekje fizike, sakrifica, pak buzëqeshje, rrëke djerse, lodhje fizike e mendore, merakshumt për jetën, sedra dritë lëshuese. Misioni i tyre njerëzor u realizua. Dëshira e tyre u ba e pashme. Kënaqësi ndjellëse. Vepruese. Transformuese e mjedisit natyror, bujqësor. Prodhuese të mirash materiale. Bazë ushqimi, jete, gjallërimi për mua, vëllezërit, motrat. Trashëgimi breznish, pasurish të patundshëme, mjeshtëri punërash, veshjesh prerë e qepur nga zejtar.

           Sigurisht kështu për mijëra banor të krahinës së Muhurit. Emërues i përbashkët për të gjithë muhurakët dhe ma gjanë.  Ndërsa sot na vlon gjaku në deje prej hidhërimit, zemërimit, frikës, pasigurisë, mbytjes në ujë e bataqe.  Po, prej zhdukjes të truallit ku u lindëm, hodhëm shtat, u shkolluam, punuam, mbijetuam. U zemëruam e u larguam. Ah, po, sepse ne jemi brezi i të dështuarve! Brezi që kemi në dorë truallin e të parëve, trojet e trashëguara stërgjyshore.  Ata u gjakosën, ato luftuan deri në Karadak, në Janinë, Selanik, Krime, Manastir… 

Shtëpia ime

     Zbritëm nga makina e Shemsiut, unë dhe gazetari francez Adriano Padoviani.  I pari eca unë, urës të varur. Shtroja prej dërrasash kishte shtresë bore prej tre centimetrash. Ujët e lumit Murra rridhnin qetësisht shtratit të tij. Verrinjt, lajthitë dhe arrat puthnin ujërat e kristalta me degët e tyre. Ato sikur i trembte ai me lëvizjen e tij edhe pse sikur i ledhatonte.   Nuk ‘’mendojnë,, këto gurë të rrumbullakët bardhosh, nën ujë kaltrin me degët e drurëve e shkurreve, se një ditë nuk do të jenë ma. Zogjtë e fluturat do të ikin flutrimthi, edhe kafshët e egra duke vrapuar, por këto, fatkeqësisht, do të kenë këtu, ku tani jetojnë, varrezat e tyre. Peizazhe të tilla bota e qytetëruar i ruan si sytë e ballit, e kujdest si nana fëmijën. Fatkeqësisht këtu do mbyten pa mëshirë. Arkitekturë  peisazhistike mahnitëse në çdo stinë  nuk do të kënaq  ma syrin, shpirtin e banorëve apo shëtitësve. Nuk do të rrit e ushqeje brezni. Popullsia do të zhduket. Natyra do të egërsohet.

Foto.Sh.Prenci

       Ngjitemi shtegut të holle me degëza, ferrash, lajthish, verrinjsh, manash, arrash që na shqetësojnë. Udha po zhduket nga dukuri natyrore, mungesë lëvizjesh, njerëzish e blegtorie. Hejet e akullit nën strehën e rrasave  shkëlqenin. Gazetari i emocionuar veç fotografon. Peizazh i rinuar nga natyra. Ky shteg dikur, ka qenë vijë uji. E hapur me kazma e lopata në vitin 1946. Kambë zbathur e me opinga, që të vegjël punuan muaj të tanë në rini, Xhemali, Tahiri, Ganiu, Nazifi i vogël. Ramadani si usta, preu gjurët e blumjes, përgatiti fletët prej druri, lugun e ujit dhe koshin për të mbajtur drithin e mullinit. Duken shenjat e themeleve të mullirit. Ky këtu  poshtë manave në breg, buzë shtratit të lumit Murra punoi vetëm tre vjet.  Pastaj u ndalua. U shtetëzua. U ndëshkuam si kapitalista të vegjël. Megjithëse e gjitha u ndërtua me ndershmëri, djersë dhe stërmundime.

  Një arrë ka emrin tim. E shkula me bukë dheu në brigje të Çerrave dhe e mbolla këtu pranë shtëpisë. Ajo ashtë rritur shumë. Kurse një trung molle kishte zanun udhën. Gjysëm i kalbëzuar. E hoqa. Ishte shartuar mbi një të egër. Prodhoi e jetoi mbi gjysmë shekulli. Ishte mollë    Bulaçi. Edhe ajo përfundoi këtu.  E rrëzuar. E dëshpëruar.  Ngjitem me nxitim pak sa i kërrusur, udhës për te shtëpia ime. Diçka e brendëshme me shtynte vetëvetiu. U ndala te qoshja e murit teh brisku. E drejt pe plumbçe. Nuk e përmbajta veten, putha dhe lëmova qoshet e skalitura. Kuptohet nuk munda t’i mbaja lotët e mallit përvëlues. Përzier ato me lotët e dhimbshme të një fundi tragjik. Nuk mundesha! Afrohem pranë dyerve me qoshe e shqema guri të skalitura. Mendimet më pështilleshin  e shpështilleshin pa ndalue.

31.01.2024

Me Adrianin para shtëpisë

Foto.

Sh.Prenci

   Më afrohet Adriani e më thotë: ‘’Po pse dyert e mbyllura me dryna?,, Si t’i përgjigjesha.  Unë fajtori. Unë i turpëruari. Dje dhe sot. Ula kokën. Ai më ra krahëve me dorë, për të më zgjuar. Koka më ishte randue. Gazetari shikonte me habi herë shpendët e skalitura, herë mua. Sigurisht, dhe ai humbi para këtyre  mrekullive.

       Ngrita paksa  kokën dhe ju përgjigja në gjuhën italisht e pastaj në frëngjisht:

‘’Të gjithë  të syrgjonosur. Shkaqet janë të thella. Vajtimoret mund t’i thurin vargjet ma mirë. Unë nuk mundem.,,

Trupi po më dridhesh. E megjithatë  vazhdova me zanin e dridhur shpjegimin:

Gazetari me shikonte i ‘’mbytur,, në detin e pa anshëm të  pa njohurave. Shikonte përqark mollët e egërsuara. Fikun e dëshpruar ardhur nga Lushnja në vitin 1976. Gështenjën pa gjethe si një vajtimore. Ftonjt me degët që qanin nga bora që shkrinte. Shermenet e rrushit të rrudhosura, dukeshin sikur qanin me degët e hardallosura. Manat me trupin e degët plotë myshqe. Shtrati i lumit Murra me pyll shelgjesh e verrinsh ku dëgjohesh  një  melodi muzikore e natyrës së gëzueshme.  Mjerisht po këndon,  kompozon simfonitë e fundit të jetës.

Foto:Sh.Prenci

    E unë fluturova në ato vite të vegjëlisë punë shumta. Mosha numëronte veç njëmbëdhjetë vjeç. Pushimet e verës i kalova duke mbajtur gëlqere të fikun, si tlyen i bardhë, me mushkën paksa xanxare. Udhëtoja rreth dyzetë minuta Kodra e Mëzeze – Bushen. Thuprën e mbaja në dorë. Mushkës i rrija paksa larg. Bëja tetë herë vajtje e ardhje me atë. Ujët e lumit Murra e kaloja me opingat veshur e pantallonat i ngrija pak sa.

Tre muaj unë bëja këtë punë. Dy stina vere i bana kështu pushimet. Disa herë mushka më rrëzonte unë ngrihesha. Përsëri nisesha. Thundrat e opingave prej llastiku griseshin. Unë nuk ju tregoja babës e nanës. Guriçka të mprehtë më nguleshin në thundër. Gjaku skuçte ato. Unë nuk qahesha. As ankohesha ose të thoja jo nuk shkoi. Kështu ishim ne atëherë.  Të tillë mbetëm për jetë.

   Mixha e hapi vetë guroren në shpatin e Sukës së Leke. Ai i preu vetë shqemat e dyerve, kamat e dritareve, qoshet e mureve.  Babai solli me mushk këtu rreth një orë udhëtim. Shqemat me bashkëfshatarët ngarkuar me litar e hunj katër apo pesë burra një prej tyre i trasportuan. Ndihma, vëllazërimi ishin në themelin e jetës. Aty, ku gazetari tani shikon vendin e shkretuem. Mixha i skaliti me kujdes, vëmendje e plotë pasion e mjeshtëri skulptori. Ulur në shkam prej druri ose duke shtruar fier mbi tokë.  Vetëm shqiponja i zgjati tre ditë pune nga ora shtatë e mëngjesit e deri në  shtatë të darkës.  Duart të çara, hera herës të gjakosura. Pluhuri ishte në rrobat e trupit si një mullixhi.  Natën,  herë babai Tahiri e herë Mixha shkonin roje natën në qendrën e kooperativës në Koder të Rame. Ditën punonin me çekiç dalta. Ndërsa babi Tahiri trasportonte  gurë e ranë. Edhe pse natën me pushkën, marka gjermane në krahëqafe banin roje 12 dhe 14 orë.

    Babai bante me mushkën ‘’heroinë,, tridhjetë udhë,  ngarkuar me gur  në guroren e Çerrave. Opingat i vishta pa çorape. Kësula e bardhe merrte ngjyrë kafe.  Trikoja grisej e arnohej e ster arnohej nga nana. Ishte prej leshi delesh që i kulloste e kujdesej gjyshi.  Një familje qe kishte punën baze të jetës. Organizimi ishte i përsosur. Vetëm kështu sigurohej mbi jetesa. Punonim për të ardhur me token nën ujë. Kuptohet për një jete ma të mirë.  Pemët ishin ato të mbjelluna në vitin 1946-1947.

    Ndërsa nana gatuante e na sillte bukën ushqimin, produktet blektorale në Arën nën Vijë ose Bushej. Nane Lihe nga themelet e dy kate, pregatiti llaçin e gëlqeres. Ajo bante punën e betonjeres. Nën shqemat e dyerve në themele, futëm një kokë dashi, një pasqyrë dhe një krahën. E kështu u ndërtua me njëmijë mundime e sakrifica shtëpia dy katëshe.

   Vëllai Petriti rindërtoi mullirin para gjashtë vjetësh. Tani asht i mbylllur me dri.   Ky ishte fundi i shkretimit  familar e mjedisit tokë prodhues të bekuar. Gjithçka prodhohej, gruri, misri, domatja. qepa etj. etj.  për të jetuar. Ujin e pishëm e morëm me tuba kauçuku te zabeli i Çerrave. Ishin muajit Gusht Shtatori të vitit 1976. Mirëpo çezma  e ndërtuar me gjur mermeri  nuk lëshonte uji. Ajo qenka ndryshkur.

   Vallë vetëm shtëpia ime, tokat tona, trojet tona do të kenë këtë fat zhdukjeje pa nam e nishan?

    Përgjigjen do të na e jap muhurakja, inxhinieria elektrike Fitije Voka  Kapxhiu. Lexojmë:

  Largohemi të tre duke i fotografuar me sy e aparate. Përsëri e lashë.  Me shpresë se unë do të rikthehem. Me vëllezërit e motrat për të kryer punime duke e kthyer ne bujtinë ose kullë për turizëm. Një pyetje e frikshme më gërryen për brenda qënjes tonë. Kush na e mbush mendjen se pellgu i qelbur Skavica, sot ose nesër na e mbyt përgjithmonë trojet shtëpinë?