Teuta Shaqiraj-Ca pengje mblodha


Ca pengje mblodha.

Kam peng dy sy të bukur si ulliri
ca nanuritje të ëmbla, muzikë në vesh,
ca drithërima të largëta, si shkrepëtima qielli,
ca gishtërinj të butë kadife kam peng.

Kam peng patjetër disa flakëza të vogla,
që i ndeza dhe i fika me frymëzën e erës.
U tremba se mos digjesha e tëra aty brenda,
me shpirtin pjalmuar prej flladeve të verës.

Me vjen prapë ai zë, më prek si fllad Prilli,
e syrin zë ma ndjell e gjumi s’më del dot.
Kështu dhe atë, si zogun në kuvli,
e mbaj ende peng sa ditë, eh sa mot!

Kam mall për ato buzë me afsh si urë zjarri
E peng i tyre jam dëshirash e përflakur
Në jerm i lashë të digjen shkëndijash n’vetmi
pa pyetur për mallin që tretej prej merakut.

Sa pengje mblodha sonte mu nën jastëk;
Por një varg më erdhi penglënës dhe ai,
mes zërash e tingujsh mbërthyer në një çast
mos lër, as mos mbaj pengje në dashuri !

About Post Author