Teuta Shaqiraj-Ca pengje mblodha


Teuta Shaqiraj

Ca pengje mblodha

Kam peng dy sy të zinj si ulliri
ca nanuritje të ëmbla, si muzikë në vesh,
ca drithërima t’largëta, si shkrepëtima nga qielli,
ca gishtërinj të butë kadife kam peng!

Kam peng patjetër disa flakë të vogla,
që i ndeza dhe i fika me furin” e erës.
U tremba se mos digjesha e tëra brenda,
pa pjalmuar ende shpirtin në breroren e hënës!

Me vjen ai zë, më trazon si fllad Prilli,
m’a dehte gjumin e s’më dilte dot,
kështu dhe atë, si zogu në kuvli,
e mbaj ende peng sa ditë, eh sa mot!

Kam mall për dy buzë si urë zjarri
dhe ato i shova me frymën e pengut,
i lashë të digjeshin mes shkëndijash jermi,
pa pyetur për mallin që tretej prej merakut.

Sa pengje mblodha sonte nën jastëk;
Por një varg kalorthi , penglënës dhe ai,
mes zërash e tingujsh me mbërthen një çast
mos lër e mos mbaj pengje në dashuri !

fbt

About Post Author