Teuta Shaqiraj :Dashuri në stinë vjeshte


Teuta Shaqiraj 

Askush s’më beson, se sa shumë e dua.
Se askush, s’më ka parë të dashuruar.
Por mendimi i ngulur mbi letër, në t’aguar
piqet e pak nga pak hedh mundimin mbi mua.

Se jam farë që ka rënë në brazdën e hapur.
Mbulomë me prushërimën e verës së mbetur!
Llava mi djeg të fshehtat dëshira
nën gjoksin e terrur, mezi frymon e djeshmja

Të betohem për sytë që shkrepin si drita
Që hapave të mia u bëjnë shteg për tek ty.
Vij, e puthmë me gjuhën e fjalëve të zjarrta
E mendomë pafundësisht, sikur t’isha aty.

E jehona e shpirtit të thërret, të dua..
Si orë e prishur me shtyn netët e vona
Agimet e lodhura në pritje rrinë e presin,
biskun vjeshtak, t’mos e prekë era e dimrit.

Se stinën e pranverës e sjell edhe në vjeshtë
një lulekuqe a luledele, në zemër, n’aortë.
Thonë, se vera e kuqe në damixhanin e vjetër
I përngjan dashurisë n’vjeshtën e artë të jetës.

Teuta Shaqiraj 

About Post Author