Teuta Shaqiraj:Bota në sytë e mi



Teuta Shaqiraj

TË dua, bota ime e vogël
fashuar me lotin kripur e të ëmbël
rritur me diellin e dashurinë e munguar!

TË dua ty, zagushi e ditëve te mia
ngjitesh e s’shqitesh kurmit tim ,
netëve te përgjumura.
Mbartur mbi shpatullat e rëna
copëza kujtimesh të varfëra,
në duart e zbrazta, ëndrrat e palindura.
Të dua ty, pazëshëmja , si heshtja,
me zgjime të vakta e dëshira të zbehta!

TË dua, ëndërra ime e parë
me sytë e mëdhenj tejhapur
nga çudia e kësaj bote të shplarë,
nënë shterpësie me lindje para kohe, vrare !
Ç’gjymtyre shtrembake me ah-e habie
pjellë e shtratit virtual, të kohës martire!
Alibi e rreme
me rrahje artificiale zemre……!?

Unë diellin e zjarrtë e fsheh,
e mbaj në gji…
Bota ime sa e vogël dhe e madhe,
kredhur në dashuri,
virgjereshe mbetet ajo pjesë e zemrës,
ku s’hyn asnjëri.

Teuta Shaqiraj

About Post Author