Teuta Shaqiraj
Dashuri në stinë vjeshte
(ripostim i ripunuar)
Askush s’më beson, se sa shumë e dua.
Se askush, s’më ka parë të dashuruar.
Por mendimi i ngulur në t’aguar permbi letra
piqet e pak nga pak, si vile rrushi ëmbëlsuar.
Se jam farë që ka rënë në brazdën e hapur.
Mbulomë me prushërimën e verës së mbetur!
Llava mi djeg skutave dëshirat e fshehta,
nën gjoksin e terrur mezi frymon e djeshmja.
Të betohem për sytë që shkrepin si drita
Që hapave të mia u bëjnë shteg për tek ty.
Vij, e puthmë me gjuhën e fjalëve të zjarrta
E mendomë pafundësisht, sikur t’isha aty.
E jehona e shpirtit të thërret, të dua..
Si orë e prishur me shtyn netët e vona
Agimet e lodhura në pritje rrinë e presin,
biskun vjeshtak, ndër ledhe e ndjellin…
Se stinën e pranverës e sjell edhe në vjeshtë
një lulekuqe a luledele, në zemër, n’aortë.
Se vera e kuqe në damixhanin e vjetër
i përngjan dashurisë n’vjeshtën e artë të jetës.
