Teuta Shaqiraj:Ironia e fatit


Ironia e fatit.

Pjesa e dytë

Kur Tina u zgua atë mëngjes muret e dhomës numër gjashtë kishin marrë një ngjyrë të kuqërremtë të veshura nga rrezet e para të mëngjesit. I pëlqeu ajo fashë e ngrohtë që premtonte… Ishte një ditë e re për të shpresuar.

Ishte e lodhur nga ëndrrat e natës, një enderr e lodhshme… sikur….. e ndiqte një shpend i bukur e ajo sipër një rrjedhe lumi që mundohej të mos binte e kujtimet shkisnin poshtë saj si në legjenda, e herë herë i bëhej sikur kalëronte mbi ca kuaj, kuajt e erës mendoi, si në një poezi që kishte lexuar kohë më parë e befas.. Befas maratona sfilitëse e natës ishte ndalur . Shpirti i nënës i kishte ndjerë përpëlitjet e saja, duke përgjuar tërë natën frymëmarrjen e duke vënë duart e buta mbi këmbët që nuk i preheshin në asnjë çast, në një lutje të gjatë hyjnore. Prandaj u zgjua.

Engjëlli i saj nuk e la të stermundohej aq gjatë në atë ëndërr të pakuptimtë.

Tina nuk bëri asnjë lëvizje e la të flinte edhe pak, të paktën kështu i dukej ulur në atë karrige të drunjtë, me fytyrën drejtuar nga ajo. Ashtu ju duk vërtetë sikur flinte dhe nisi të fliste me vetën e saj.

. . Nënat pushojnë pak zakonisht.. Nuk kanë kohë që të përkëdhelin vetveten . Të gjitha nënat sipas Tines ishin, si një glob i madh me sytë e zemrën e duart drejt diellit e hënës, drejt qiellit, me ato lutjet e tyre të thjeshta dalë nga thellësia e qenies së tyre, si nga të përbrendshmet tokës.

Ku e kish parë këtë imazh?

Eh ashtu rrotullohej aksi i shpirtit të tyre, në çdo stinë, po në çdo stinë. Ndërsa mendimet shkonin e vinin siç dëshironin vetë, i shkrepi një ide, që kur të shërohej do ti kushtonte disa vargje.

Jo-kundërshtoi mendimin e parë çfarë vargjesh.

-Do ti thurte një poezi mamit, pse jo një poemth mirësisë se saj, dhe adrenalina po i rritej brenda, si një bumerang në përmasat e një romani shumfaqesh për nënën..

Filloi të buzëqeshte duke shikuar fytyrën e saj të hijshme. Sa e bukur nëna edhe në këtë moshë. Kishin lindur në të njëjtin muaj, ajo një ditë para saj.

Tina mundohej ta përfytyronte veten e saj në moshën 64 vjeçe. Patjetër do të merrte hijen e saj, por me flokë të lyera..hhahahai i erdhi për të qeshur kur kujtoi ç’kishte hequr për ta bindur për ti lyer flokët në dasmën e motrës së madhe e ti priste pak sipas modës.

Ah, po kërkonte në mendjen e saj të pagjumë një përcaktim a metaforë, se nëna është matafore, është si toka, dielli e hëna, ajri flladites, dhe era. Nëna dashuri ndonjëherë dhe furtunë , por dhe shiu.. ah lotët e saj si shiu kur thyhej një degez e blertë jetë, ashtu papritur a një lis nga pesha e rëndë e dëborës së pamatë në një natë dimri.

Një çast ju duk sikur pëllëmba e djathtë i lëvizi pak.

S’pipetiu as Tina. Po nëna e kishte ndjerë.

Hapi sytë si ai ushtari që e kishte zënë gjumi në transhe, me sytë sytë e shqetësuar i tha :

-Shpirti i nënës u ngrite, oh me fal u zgjove bije e nënës , ç’të bëj nëna për ty, të dhemb? Tërë natën renkoje, seç shqiptoje ah….—psherëtiu.

-O ma, po mos u merakos të lutem, – e qetësoi Tina. E njihte nënën e saj Do lëvizte çdo gur për ta kënaqur. Një gjë po ti kërkonte Tina, dhjetëra të tjera do të sillte ajo trupvogël halleshumë.

-Vërtetë o ma, – vazhdoi Tina – nuk qe një shëtitje e lehtë , po sot do ngrihem patjetër. Tani vjen doktori, infermierja.. pastaj kam një uri.., – i shpëtoi Tines. Kaq desh nëna.

Ika, – i tha, – Po iki të marr dy byreqe të ngrohta.

E me atë nxitimin e saj, kthehu krahët e gati sa nuk u përplas me infermjeren e turnit që po vinte t’i mjekonte plagën.

-Mami, kujdes – thirri Tina e shqetësuar. Infermierja u shmang pakëz, e në të njëjtën kohë e mbajti nënën me dorën tjetër.

“O zot, – mendoi – gjithë jetën në alarm”. Ç’të bënte e kishte në DNA.. Infermierja i qetësoi që të dyja. Kishte një zë të ngrohtë e timber të ëmbël dhe e folura e saj mbushi çdo kënd të dhomës.

Ishte në të tridhjetat.

Teksa e shikonte dhe ndjente duart e saj të lëviznin me kujdes në trupin e dhunuar nga plaga, i erdhi në mendje ta pyeste nga vinte edhe pse nga timbri gati ishte sigurt për prejardhjen e saj jugore.

Nëna ndërkohë e bëri të buzëqeshte me pozicionin që kishte marrë.

Qëndronte pak më trupin përkulur përpara e mëngët e tërhequra pak lart si për të qenë e gatshme për ti dhënë një dorë dhe ajo infermjeres në rast urgjence . Ah sa do kishte dashur të qeshte me tërë forcën e ta përqafonte fort, fort.

-Po ti moj nuse nga të kemi, nuk më dukesh si nga anët tona, – ma mori nëna nga goja dëshirën time.

– Sa dorë të lehtë që paske tu bëftë nëna, – vijoi – se Tina, kështu quhet drita ime, nuk ndjeu dhimbje fare.

Sytë e saj të blertë buzëqeshjen lehtë e të menduar, si për ti thënë se sa dhimbje ndjente pacientja , por që mbahej fort për shkak të pranisë së saj e me po atë buzagaz të këndshëm shtoi :

-Jam nga qyteza e M-së. Keni qenë ndonjëherë Tina?

Tina shtangu nga ajo që dëgjoi, u skuq, frymarrja ju shpejtua, rrahjet e zemrës si ore e prishur nuk po i bindeshin më mendjes së lodhur e të pa gjumë . Kujtimet si me urdhër u kthyen 360 gradë mbrapsht. Ju kujtua ai, ai djali që se kishte harruar kurrë. Infermjeria me emrin Drita u shqetësua dhe menjëherë deshi t’ja maste pulsin, kur Tina si për ti thënë që s’është asgjë e fshehu menjëherë krahun nën batanijen blu,sikur dëshironte të fshihte sekretin e saj e që askush të mos zbulonte dhimbjen e vjetër që vetëm nëna e ruante. Duke u përpjekur të dukej e qetë u përgjigj :

-Po kam qenë shumë vite më parë me sportin, – e mbasi mori frymë thellë e pyeti me tërë qetësinë e mundshme se e njihte filanin.

-E kam njohur kur studioja në Tiranë, – shpjegoi Tina, kur dalloi atë kërshërinë e femrës në sytë e saj, -Nikita studionte per mjekësi, ishte më i madh se ajo disa vjet dhe u bënë miq të ngushtë. Pastaj rrugët tyre ishin ndarë .

Mendja e saj e kthjellët kishte numëruar 12 vite e gati 7 muaj, s’dinte gjë për të, a ka krijuar familje a kishte fëmijë, a ishte dashuruar vërtetë …. Kërshëri e pushtoi por heshti.

Një heshtje e përzier malli e melankolije mbushë sytë e Tines.

Infermjerja Drita nuhati diçka, e dalloi mirë sytë e të sëmurës me atë vështrim ëndërrimtar e të zgjuar.

-Ka punuar në këtë spital si kirurg për shumë vite dhe është transferuar prej 6 muajsh si shef i kirurgjisë në Tiranë, – tha dhe duke i shkelur syrin vijoi :

– Po të ishe operuar gjashtë a shtatë muaj më parë me siguri do ta kishte marrë ai përsipër këtë operacion e dashur Tina -dhe iku duke tundur supet.

U kthye e bëri një gjysëm hapi duke e fiksuar shtoi hareshem :

-Është akoma beqar Tina, s’është martuar ende dhe femrat i gumezhijne rrotull si bletët që kërkojnë nektarin. Pastaj më një ton hokatar vazhdoi :

-Ika, – tha – sa punë kam sot!

-Faleminderit, – thanë nënë e bijë me një zë.

Tina dhe ironia e fatit si dy binjakë e kishin ndjekur njëra tjetrën pa mëshirë e shin shtruar që të dyja në atë dhomë spitali. Nikita ishte specializuar pikërisht në atë degë për të cilën ajo do të kishte pasur nevojë pas kaq vitesh dhe kishte qenë një nga motivet paradoksale të jetës së saj për të cilën ishte ndarë me dhimbje prej tij pa i thënë asgjë, pa i dhënë asnjë shpjegim.

Kishte marrë një peng të madh..

Mbuloi kokën me batanije e bashkë me pengun e saj u zhyt me thelle në shtrat si të kridhej në detin e trazuar të jetës së saj e ra në kujtime..

Faleminderit Niku Ramollari per realizimin artistik te fotografise shoqeruese.

Tea Vijon…..

About Post Author