Teuta Shaqiraj:Këngë malli


Teuta Shaqiraj

Më rrëmbeu sot kjo këngë malli

kur ja “merrka këngës bilbili mbi qershi”.

Dy pika loti m’u shfaqen, si luleshqerra

nga malli petalet u lagën një nga një.

Një mall i nxehtë gushti më mori

ndizet nga meraku edhe trëndafili.

Në tinguj kënge me vargun sevdalli

përskuqet dhe konxhja mbi tjegulla, në avlli.

Ky shpirti përvëluar me magjinë e këngëve,

me notat dashuruar tretur pentagrameve,

edhe pse thinjat zbardhin ndonjë shkronjë,

e rrudhat memece flasin pa zë.

Ah, më djeg malli këtë mëngjes gushti,

në gurra rapsodie etjen ma ngin,

me aromë dashurie dehet shpirti im,

në ortekë malli prehet pa shërim.

About Post Author