
Teuta Shaqiraj:Kohët brenda meje
Ndërsa rri mendoj e përhumbur,
kredhur muzgut t’argjendtë
në buzëmbrëmjen hireplote
e kaluara m’dergjet me fytyrën
dritëzbehtë ,
e tashmja ëndërrimtare
që vec ëndërr nuk qe .
Të dyja shqiten e ngjishen ,
kapërthehen mes haremit, si dy jarane
në prushërimen e dashurise
që kurrë s’mori zjarr .
E unë ,
ç’bëj këtu me këmbët kureshtare
ngujuar në rripin e kohës
neutrale?
Me vështrimin prapa
e zemrën që rend përpara ?
Ah sytë ndjellin shpresën
gjithë gaz ,
por jo me të “ndjerin” maraz ,
se s’dua të heq zvarrë
relikten tashmë, lënë pas…
Sepse e ardhmja kur agon
s’pret as mua as ty si mbreti në fron,
as fle brenda kornizës
së blertë.
Rajëvizon profilin e shpirtit
të etshëm
me rrebeshin e penelatave
që
derdhen hareshëm.
Të shuaj jermin e syrit nga binomi i djeshëm.