Thirrmë…


ZYBA HYSA/

Kur t’kesh mundësi… thirrmë,

O fryma e shpirtit,

Çastet me Ty janë mbretëria e zemrës,

Ku rreth e qark hyjtë i rrinë roje,

Të mos futet mbrenda ç’dëgjohet jashtë,

Realiteti i hidhur klith “ëmmbël”,

Një ëmbëlsi q’kurrë s’e kam dashtë!

Kur t’kesh mundësi… thirrmë,

O shpirt i shpirtit,

Çastet me Ty… disa jetë bashkë,

Vitet që u tretën, pa ardhur ditët,

Dhe vitet që prita e kurrë s’kanë ardhë!

Kur t’keshë mundësi… thirrmë,

Ashtu siç thërrisnin të parët tanë,

Për t’u ardhur ndihmë si n’ditë të qametit,

Kur shkelnin mbi trojet përbindëshat barbarë,

Të bëheshin bashkë,

Të derdhnin dhe të fundit pijkë gjaku,

Për trojet tanë!

Ti thirrmë… thirrmë… me zërin e shenjtit,

Atë zë e ndjej nga çdo distancë,

Dhe mbrenda meje çel derën xheneti,

Lëndina me lule… kroje bujarë,

Aroma dehëse,

Tingëllima zilesh n’formë soneti…

……………………………………………….

Kur t’kesh mundësi… thirrmë,

O fryma e shpirtit,

Çastet me Ty janë mbretëria e zemrës,

Ku rreth e qark hyjtë i rrinë roje,

Të mos futet mbrenda ç’dëgjohet jashtë,

Realiteti i hidhur klith “ëmmbël”,

Një ëmbëlsi q’kurrë s’e kam dashtë!

About Post Author