S’kanë të pushuar shirat sot,
atmosfera ngarkuar lagështirë,
s’të vjen të dalësh, është e kotë,
Thonë se shiu i lan gjynahet,
për gjith’ mëkatarët në këtë botë,
por janë kaq shumë mëkatet,
sa s’besoj se lahen, s’besoj dot.
A lahen dot gjithë këto krime,
gjynahqarë që tokën lanë djerrë,
ikanakë që s’pyesin për familje,
udhëve të botës si emigrantë.
A lahen dot krimet që lë pas droga,
bij dhe bija të harruar larg shpresës,
të tjerë që nxjerin gjasme të hollat,
semaforëve vajzat pa i qeshur jetës.
Ka kaq shumë gjynahqarë për rreth,
burra palavi që rrahin gratë, fëmijët,
hajdutë që s’njohin as ligj e as shtet,
bastardë që për para vrasin shokët.
A lahen dot piskamat e nënave,
që varrezat përqafojnë dhe luten,
në sofrën pa bukë lotët e fëmijëve,
baballarë që pragu s’i nxë të futen.
A ka mundësi të lahen gjynahet,
kur ka më shumë mëkatarë se shi,
kur varfëria nuk mbulon dot hallet,
e kur dashuria mbulohet me pabesi.
Kur makutëria sa vjen dhe shtohet,
kur dhe spitalet kthehen në biznes,
o njerëz tani ndërgjegja ndëshkohet,
s’beson dot askënd, je i pashpresë.
E vërtetë është se shiu lan gjynahet,
unë s’do ta besoj kurrë, nuk mundet…..
