Ti dhe vetëm ti-Rrahim Billa


Nuk qaj për rininë , që më iku kot së koti

Se ajo të kthehet e të vijë , nuk mundet më.

Por për brezin e ri sot , të mërguar…më pikon loti

E atë zbrazëtirë , krijuar atdheut…

se mbush asgjë.

Pranvera e një kombi , është rinia…sigurisht.

Por pranvera e kombit tim , prej kohësh arratisur!

Rinia do të ikte , domosdo…se ëndrrën ja vranë , pabesisht.

Me djersën e tyre , vende të tjera…duke i stolisur.

Ndërsa Shqipëria lëngon , prej plagëve që nuk po i shërohen!

Sillemi në një rreth vicioz , kërkojmë të dalim e s’dalin dot!

Truri i kombit mërguar , mjerimi e varfëria veçse shtohen!

Nënat shami zeza , qajnë për bijtë e tyre…derdhin lot.

Rini…

Çfarë pret?!…

A nuk të dhimbset fare , Nënë Lokja Shqipëri?!…

A nuk e shikon se si lëngon…e vetëm tek ti shpresat i ka?…

Nga ky rreth vicioz , mundet t’a nxjerrësh…ti dhe vetëm ti.

Atdheu i shkretuar , pa pikën e gjakut të ri…

ç’është kjo hata?!…

Rini…

Thuaja këngës më të bukur që din ti.

Por kjo këngë që këndon sot…

jo për besë…

nuk është kënga jote.

Shqipëria që të lulëzojë , ka nevojë për gjak të ri.

Të bëhet…

ose për ndryshe , të shuhemi prej kësaj bote.

Rini!…

Ruaju prej veseve që të shëmtojnë…

qëndro e pastër si kristali.

Ti dhe vetëm ti…

je dritë për kombin , për t’a ndriçuar.

Ju jeni shqiponja e vrullin tuaj , asnjë stuhi nuk mund t’a ndali.

Kthehu rini!…

Se ti dhe vetëm ti…

e bën Shqipërinë , një kopësht të lulëzuar.

Kthehu rini!…

Atdheu prej plagëve , kurrë më… të mos rënkojë.

Shqipërisë t’i ktheni atë shkëlqim vezullues , të munguar.

Me ritmin tënd rinor , të ecë përpara…kurrë të mos ndalojë.

Atdheu ju thërret…

emrin e Shqipërisë për t’a lartësuar.

12 / 12 / 2022

Rrahim Billa / Albania