Ti dielli imi i vranët-Nikollë Loka


NIKOLLË LOKA

Tiranë.

Përtej vdekjes

Dhimbjen time të pa horizont,

e zuri dhimbja e Nanës.

U mbajta me zor te një fjalë që m’i ndali,

rrahjet e zemrës.

Dhe në atë jetë ti vazhdon me qenë prind,

me qenë fëmijë,

me qenë motër,

dhimbja të mban në mes të gjallëve,

në votër.

Po kërkoj pjesën time të dhimbjes prej vëllau,

që më rri në mish e në eshtra,

dhimbja nuk shkon te një fund që kalohet,

as kur qesh me lot,

as në atë çast kur vjen vdekja…

Derisa bëhen bashkë të gjitha dhimbjet:

E Bijës, e Nanës,

e motrës, e vëllaut,

dhimbja jeton përtej vdekjes,

nuk e kalb dheu i varrit…

Ti s’kishe ardhur për të ikur

Dhurata e parë ishte ai çast,

kur erdhe në këtë botë,

dhe hape sytë…

Dy pika lot margaritarë,

dhurata e dytë.

Dhurata e tretë ishte një e qarë me shpirt.

Ti kishe ardhur pak përpara diellit,

ditën e shtatë, kur bota ikën,

dhe zhduken yjet…

S’ka lajm,

nuk të prek dot syri i lig,

as njolla e shpirtit të keq,

ti s’kishe ardhur për të ikur!…