Irma Kurti
Ti fle e qetë, e zhytur në gjumë të thellë,
dimrat më të fuqishëm nuk të zgjojnë tani,
as britmë e qiellit të zymtë, të pashpresë,
as zhurmë e bubullimës që vjen si hungërimë.
As dhe zëri im që shndërrohet në një ulërimë,
as edhe kjo dashuri që pulson në çdo qelizë,
as jehona e të tëra kujtimeve të përbashkëta,
as dhe cicërima e zogjve, më e ëmbla simfoni.
Lumenj të pareshtur lotësh nuk të përmendin,
ndaj thirrjen time e gëlltis porsi kafshatë, ajo
përplaset në humnerën që kam brenda meje,
tretet edhe thërrmohet, për të lindur prapë.
Por buzëqeshja në fytyrën tënde plot diell,
e ëmbël, e bukur, ashtu si e kishe në jetë,
veç ajo më ngatërron dhe nuk di se ç’të bëj:
të të zgjoj apo të të lë që të flesh, Nënë?
IRMA KURTI
Kjo është një nga qindra poezitë që i kam kushtuar Nënës sime të shtrenjtë SHERIFE KURTI MEZINI dhe që e ribotoj sot, në ditën e përvjetorit të ikjes së saj përgjithmonë më 25 tetor 2006.
