Ti ishe mospërputhja e vetes në hapat e kohës-Brixhilda Dede


Brixhilda Dede

Ndjeva të mbytesha nga një dashuri artificiale.

Një idhull frymor mbështillte furrishëm qënin time me ajër të thatë.

Marrosur rrëshkiste koha,

Thinjur si re e bardhë në qiell të kaltër.

Mes atij qielli të pamatë, Olimp pa perëndi isha.

Evë, pa Adam.

Dielli më nuk ngrohte.

Diell kish’, por jo zjarr.

E lashë të lirë mendimin,

Dhënë kohën, zhgjedhjen e saj.

Papritur, u ndieva e vetme, mes një qyteti me mijëra udhëtarë.

Zëri yt i brendshëm më fliste,

Si një dhimbje që me vete s’ do të doja të marr,

Magjinë e lumturisë verbëruar kërkoja,

Mjergulla rrugicave, varej litarë.

Ti ishe ag, pa aurorë.

Hije, e sajuar në ar.

Ishe, heshtja, ndjenja, copëza që gëryente si drapër.

Pushteti i ushtruar mbi ç’ do qelizë, bërë vetvetja.

Ndjeva të mbytesha nga një dashuri artificiale.

Një idhull frymor mbështillte furrishëm qënin time me ajër të thatë.

Marrosur rrëshkiste koha,

Thinjur si re e bardhë në qiell të kaltër…Brixhilda Dede