Ti je hera ime e dashurisë-Ukshin Morina


I

Lerma gjakun të rrjedhi në venat e tua, lermë
që puls e zemër të vërshojnë në zjarrin tënd të digjen,
ti je Hera ime, që bie në gjunjët e çdo mbrëmje
bashkë me dritën që rrjedh hëna.

II

Lermi sytë e mi që mbi trupin tënd të zëjnë vend, aty ku
ëndrrat e reja të prekin kthjelltësinë e magjishme të qiellit.
Unë jam këtu që nga koha,
ku në bahçen time mbolle lulet e egra të shpirtit.

III

Mëndafsh i natës së përgjumur mbështetet në mua,
si mbi shtratin e një lumi prej ku ndihet aroma jote në skaj.
E heshtur silueta e veshur me frymën time mbi shtatoren
e ndritshme në vjeturinën e kohës.

IV

Lërmi dhembjet, mos m’i zgjo në qepallat e rënda prej gjumi
të pushojnë dhe për një kohë tjetër të jetojnë të gjalla,
Ndryshe, s’do mund të gjej tjetër buzëqeshje në ditët e pasioneve
dhe buçimë gëzimi midis pemëve në kopështin tim.

V

Në atë orë vetmie lermi dëshpërimet e mia, si kangjellat
e mbyllura të një mëngjesi, mos i prek ato kristale të hirta.
Hija ime vërtitet nëpër mjergull dhe thyhet nga flladi i dritës
që përkundet në gjumin tënd.

VI

Përpara natës së ftohtë, unë preka lagështinë e përmotshme
të lotëve dhe faqet e ngrira dhe sosa në fushat e mbushura
me këngën e zogjve të panjohur, atje ku më larg se gjithçka
zëri yt pulsonte si një feniks.