TI JE SHTRATI I LUMTURISË SIME


Eli Zeneli

TI JE SHTRATI I LUMTURISË SIME

Si gjethet e vjeshtës ikën një nga një vitet tona,

U shkundën nga gëzimet dhe hallet, sepse e tillë është jeta,

Plakjen askush nuk e mendon, por ajo troket si pa e kuptuar.

Rrudhat nuk i shikoja se kishin ardhur me udhëtimin e jetës,

Flokët e thinjura tregonin

Vitet e një peme të moçme.

Sot u ndala te pasqyra e viteve, i pashë rrudhat dhe flokët e thinjura…

U shtriva në shtratin që kurrë nuk gjente qetësi nga zjarri i dashurisë sonë,

Qenka i heshtur, duket sikur do të pushojë, nga lodhjet tona…

A mos vallë e shikon se trupat tanë kanë filluar plakjen?!

Melodia e shpirtit po më mundonte,

Zjarrin e dashurisë kush e paska shuar,

dora jote nuk më përkëdhel si dikur,

nuk hidhet më mbi gjoksin tim…

Ne tani flemë si dy miq të urtë, pa dashuri….

Kështu po ikin vitet tona, e dua dashurinë tënde të zjarrtë si ditën e parë,

Unë jam muza jote,

E ti je shtrati i lumturise sime.

About Post Author