Ti erdhe si drita vezulluese e një grimce jete e shtyrë pas rrugës
sime nga era rrezore e detit dhe mbete ndjesia e një puthje të mëndafshtë.
Unë e preka dorën tënde të dridhur, ishte ashtu e ftohtë si pa jetë
nën dihatjen e thellë të natës,
dukej sikur gjithë dhembjet e tua u ngjallën përnjëherë dhe fytyra
mori trajtën e frikshme të vdekjes.
Ti flisje si kënga e një zogu të pashpresë dhe mbete gjithë hidhërimi im.
E dua aromën që nga shtjella jote e zemrës vjen si furi e tërbuar e gjakut
nëpër venat e mia ku dhe drita e bekuar e syve tu shkreptinë
si një buzëqeshje.
Ti mendimi përgjërues i mbrëmjes, heshtje rënkuese, trazim i fshehur
që në muzg tretesh në erë, i dëgjoj lëngimet e tua në natën e lagësht,
që si një stuhi më shpien larg në pyje ku shpirti të merr trajtën e dhembjes sime.
Oh sa vuaj këtu mes natës që pres të shfaqen hiret e tua imcake, këtu asgjë
s’më heq mua prej teje dhe formës tënde.
Kjo dritë e mbushur me frymën e ëmbël të agut që po lind përtej blusë së thellë
të qiellit më vesh mua me dremitjen e yjeve që po fiken në bebzat e mia.
Por jo, me ty nuk di të fle as të flas,
me ty gjithçka është ndryshe, hëna, dielli, era e, shiu, me ty dhe koha ndalet
dhe fryma, dhe gjithçka tjetërsohet në një qenie tjetër me një formë tjetër.
E di, unë jam si një fasho drite që bie aty ku dua dhe për një kohë humbas
diku larg, ndaj mos vuaj për zërin e butë që tretet si bora, lulet dhe gjethet,
ato ringjallen dhe çelin sërish në pranverë.
Oh zoti i luleleve të egra!,
e kam dashur ermimin e sfilitur të një gruaje të bëshme dhe frymën e saj
të shenjtë, që më solli mua në ishullin e egër të vetmisë.
E kam dashur dhe e dua atë trup prej një pike loti, që mbi gjoksin e dridhur
tretem si mbi dunat e shkreta ku hijet e mbrëmjes japin shpirt.
E kam dashur dhe e dua atë formë jetë, që në heshtjen e saj i përfshirë jam si
një plagë që pa zë lëngon për gjithë dhembjet e mia të mbetura si vullkane të
fshehura nën lëkurë.
Oh vetmia ime!, ti më e madhja dashuri që s’më lë vetën për as edhe një arsye
të kohës dhe s’ke frikë nga dimri dhe stuhitë
Eja hej mos më urre nëse dhe vetëm për një çast shkoj atje ku kam hargjuar
pak nga vetja, nga fryma, nga dita!
Eja ti vetmia ime!, këtu gjithçka më mallkon dhe gjithë jeta ime rrënohet
nga pak në zemër, eja diku kam një ëndërr që më rri zgjuar për mu dhe ty.
