Ti shko përpara se mëngjesi të vdesë-Ukshin Morina


Në më dëgjofsh zërin ndonjëherë mua,

mos mendo të ndalosh, janë vegime të mbetura përpara shumë

vitesh në vramendjen tënde!

Shko pa menduar ta kthesh kokën, janë pushime,

rrugë të mbetura pa u shkelur kurrë më parë nga njerëz të tjerë!…

Në më dëgjofshë kollën time ndonjëherë mua, mos ndiej keqardhje

për ftomën time, shatërvani i sëmurë është në pritje që të vdesë sonte o zemër!…

Në i dëgjofshë këngët e mia, janë të një samarai, që në harkun

rrënqethës të fishkëllimës, ecën mbi tehun e shpatës.

Në i dëgjofshë këto tinguj të ëmbël mike, mos ndalo, le të shkoj

dhe kjo natë e heshtur, bashkë me renkimet e fshehta të shpirtit.

Ti shko dhe mos ndalo në asgjë që ngjason me mua, unë s’jam tjetër veçse

një shpirt i humbur, që në lashtësinë e këtij pylli rroj, bashkë me veshjen

e butë të këtij misteri të gjelber!…

Ti shko përpara se mëngjesi të vdesë, para se dielli të bie në pluhurin

e atij zjarri të shuar, shko përgjatë asaj lugine të mbushur me gurët

e ndritshëm të yjeve dhe shiko ne sfondin e kaltër hijen që dha shpirt.

E di, çdo kujt dikush i vdes në zemër

ashtu si dhe ty kjo frymë që thell në shpirt u lidh me emrin tënd.

Ti shko, mos ndalo në asgjë që prek nata,

qielli po fle mbi det dhe era përkund okret e luleve të bardha!…

Mos dëgjo tingull a zë që të mundon,

nata bëhet e egër dhe lutjet e tua mbyten nga vala e thyer e detit.

Jepmi mua gjithë dhembjet e tua, ti hijoshja e qiellit të zhveshur,

falmi mua ato plagë, që të shpien në mjergull, aty ku dëshpërimi yt

rrejdh përgjat’ lumit të vdekur!…

Shko, ti e bëre udhën tënde në vargjet e mia të topitura,

unë jam këtu në gjumin tim ndërsa ti rrëshket në ëndrrat e mia ashtu

si dhe hëna në qiellin e yjëzuar pa u ndier, pa zhurmë,

si një shpend i tretur në muzg …