Ti vogëlushe…Rubjana Nika


Ti vogëlushe me sytë e trishtë,

ç’mëkat ke bërë vallë?!

Ti vogëlushe me trupin e brishtë,

nga prindërit,padrejtësisht ndarë.

Si gjethe e njomë në degë,

dridhesh e zbehur,e verdhë,

me sytë e trembur,shikimthellë,

buzëqesh,në përhumbje të mjerë.

Ti vogëlushe me sy të trishtë,

edhe pse dridhesh,buza të qesh,

vogëlushe e pjekur para kohe,

kaq e durueshme si mund të jesh?!

Ti vogëlushe para kohe rritur,

që vuajtjen shpejt e provove,

nga krahët e nënës dhunshëm

shkëputur,

me tymin e luftës u helmove.

Ti vogëlushe me doçkat e njoma,

që dhimbshëm në xhepa i fsheh,

t’i vodhën lodrat,fëmijërinë,

gëzimin tashmë s’e njeh.

Ti vogëlushe miturake,

me botën akoma pa u njohur,

në mendjen tënde prej fëmije,

ndihesh si grua e lodhur.

Ti vogëlushe,filiz i njomë,

ujitur me helm e gjak,

filizat nga toka e ndotur,

nuk rriten,nuk hedhin shtat.

Ti vogëlushe,nga ishulli Askund,

qëndro gjithmonë e parritur,

se të rriturit e prishën keqas botën,

me gjak tokën vaditur.

Ti vogëlushe,si shumë të tjerë,

fëmijë në luftë të rritur,

ndaloje kohën,sa lufta të sosë,

shijoje moshën e mitur.

Ti vogëlushe me zërin e zogut,

që shpirtin e ndjeshëm

ma helmove,

më shtove urrejtjen si shtjellë uragani,

për qeniet pa ndjenja njerëzore.

Për gjitë vogëlushët në botë,të privuar nga shijimi i fëmijërisë e festave të ndryshme,sidomos të 1 Qershorit, për shkak të luftrave.