Ti


Sokrat Habilaj

Ti nuk je as ikje, ti nuk je as ndalesë,

Po je boshti ku toka nis vërtitjen e saj.

Ti nuk je as gota plot, as lënë në mes,

Po i kuqi i buzëve që mbeti në një skaj.

Ti nuk je as afër, s’je as fundi mbi dhè

Po meridiani ku përcaktohen largësitë.

Ti nuk je as gruaja, as e dashura nuk je,

Ti je prushi që djeg të gjitha tradhtitë.

Ti nuk je as nëna, po ti nuk je as motra,

Po je meraku i tyre i kthyer në një grua.

Ti as më pret, as më përcjell tek porta,

Po ti je fryma që udhët i shtron për mua

Ti nuk je as dje, as ajo që do vijë nesër.

Po qielli ku bota çdo natë ribëhet s’pari.

Ti nuk je as më pak, ti s’je as më tepër,

Je koha ime, ndalur në një stacion malli.

About Post Author