Timo Merkuri-Amerikani i Odise Kotes një roman modern


Timo Merkuri

AMERIKANI I ODISE KOTES NJË ROMAN MODERN

Fjala e mbajtur në promovimin e romanit “Amerikani” në Sarandë.

Në qoftë se moderatori i këtij aktiviteti duke prezantuar Odise Koten do fliste për ‘të si për një poet, ai do bënte një paraqitje reale të portretit të tij. Ai do ishte brenda portretit krijues të Odise Kotes edhe po ta paraqiste atë si studiues, gazetar apo shkrimtar sepse Odise Kote i lëvron me sukses të gjitha këto gjini. Këtë profil shumëkrijues të Odise Kotes e kemi konstatuar në leximet tona të krijimtarisë së tij, por së pari Rudolf Marku e zbërthen kur shkruan: “Odise Kote ja arin të “zhdukë “ kufijtë fiction të poezisë me ato të prozës. Në prozë ai fut element të poezisë..”. Në qoftë se Rudolf Marku konstaton poezinë në prozën e Odise Kotes, unë do të shtoja se këtë poezi e gjen edhe te studimet, madje edhe te artikujt e shkruar prej tij. Kjo është tepër e natyrëshem, poezia është jo vetëm fillesa, por është shtrati ku rrjedh lumi i frymëzimit të tij, për tu ndarë më pas në një “deltë” zhanresh letrare për te lexuesi. Pikërisht te ky shtrat gjen dhe merr me vete proza e Odise Kotes ato vezullime të arta si copëza floriri. Këtë vezullim floriri e dritësim poetik e shohim dhe e gjejmë në të gjitha faqet e romanit “Amerikani”, prurë së fundmi nga ky autor, të cilin e promovojmë sot.

I-E them qysh në krye të radhës se romani “Amerikani” është një roman modern, jo për nga ndonjë stil hermetik apo simbolik i tij, që të shtyn të nënkuptosh diçka tejë asaj që shkruhet, por për artin me të cilën është shkruar. Romani “Amerikani” është shkruar me një frymëzim dhe art poetik. Frazat dhe fjalët kanë një art që ndrin prej së largu, kanë një tingëllimë prej rime dhe ritmi poetic, gjë që të bën ta lexosh me ëndje, madje shpesh herë tu rikthehesh për lexim frazave apo ligjëratave të plota.

Romani “Amerikani” është një roman modern për nga dëndësia e informacionit që sjell dhe nënkupton te ajo që është shkruar. Shpesh i mjafton një fjalë, psh “sakën” që të nënkuptosh një mënyrë jetese në një kohë të caktuar, një urdhër që kornizon hapësirat e jetës dhe të mendimit, dëshirat dhe ëndërat. E përdorur në kontekstin shoqëror kjo fjalë turke dëshmon: faktin se shoqëria shqiptare ishte ndalur në “mesjetën turke” dhe psikologjia e shtetit ishte një psikologji mesjetare.

Moderniteti në letërsi nuk është një mall që importohet nga jashtë vendit, ai është aritje në krijimtarinë letrare shqipe duke përsosur e ngritur mjetet artistike shprehëse në nivele europiane. Moderniteti i një qyteti nuk është ndërtimi i dy tri pallateve me stil europian, moderniteti duhet kërkuar e parë te jeta e qytetarëve.

Moderniteti i stilit të romanit “Amerikani” shihet te qartësia e shprehjes dhe thellësia e mendimit që mbartin ato dhe përcjellin te lexuesi, madje e “detyrojnë” lexuesin të rimendohet për kuptimin e pashprehur të tyre. “Mua më internojnë duke më martuar në Fushë Arrëz” thotë një vajzë e re, Margarita të cilës një njollë në biografinë e familjes ja “njollos” dashurinë e martesën dhe ne te kjo martesë shohim vërtet një internim real dhe jo figurative.

Në synimin e tij për të dhënë një roman modern autori ka thirur në ndihmë fjalorin komunitar gjirokastrit, fjalëe e shprehje të të cilit janë ngritur në nivelin e fjalëve të urta si: “Fol me të vdekurit, që të kuptosh të gjallët”, “Njeriu nuk ia mbath dot fatit të tij”, “Lotët janë gjuha e heshtur e dhimbjes”, dhe pas një përvoje të tillë, ai rikrijon fraza që kanë të njëjtën vlerë proverbiale dhe flasin sa për faqe të tëra të shkruara si:”Qetësia që vinte nga pranimi. Nga dimensioni i pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit” ku ne gjejmë çelësin e asaj bashkëjetese qytetare të komuniteteve të ndryshme që përbëjnë Gjirokastrën, të vetë kulturës qytetare të këtij qyteti.

II- Romani “Amerikani” erdhi si një si një tërmet në letërsinë tonë bashkëkohore dhe në ndërgjegjen qytetare, si për të riparë edhe njëherë rraportet me shtresën e të përndjekurve politikë dhe me të kaluarën moniste si aspekt historik, por edhe si një përvojë se si mund dhe duhet të shkruhet letërsia moderne në kohët e sotme. Sigurisht që për nga përmbajtja ky roman të kujton romanit “Arkipelagu Gulag” të Aleksandr Solzhenitsyn, por me një specifikën e tij të veçantë, sepse: ndërsa te “Arkipelagu Gulag” flitet për vuajtjet e të burgosurve në biruca dhe kampe pune, te romani i Odise Kotes skenat e dhunës shtetërore janë të pranishme në çdo pjesë të jetës qytetare. Nuk është vetëm Nelson Andrea viktimë e dhunës së shtetit monist, të gjithë shtetasit ndjehen të dyshuar, të përgjuar, të përndjekur, por ajo që vlen të theksojmë në fjalën tonë është stili letrar i autorit plot kolorit, ngjyra e melodi që përshkruan skenat, që nga grisja e pasaportës, në mohimin e të drejtës së ushtrimit të profesionit e gjer në përgjimin në qytet: “I ngjante se kudo e vështronin tinës, sikur i kërkonin llogari: Akoma jashtë je ti? Miqtë e tu u arrestuan. Po ti të paskan harruar apo ”?.

Ky roman mund të quhet edhe romani i ballafaqimeve të të kundërtave. Në antitezë janë mendimet e Nelson Andreas me Rako Siranin, të Nelson Andreas me hetuesit dhe kapterët, pasi në kohën që Nelson Andrea mendon për art e muzikë, kapter Gërdhuqi mendon për lloje të reja torture . Kjo nuk shpjegohet thjeshtë me faktin se Nelson Andrea ka ardhur nga “parajsa amerikane” dhe këtu “ra në ferrin e diktaturës” dhe nuk kuptohen mënyrat e jetesës, këtu bëhet fjalë për faktin se shteti monist mbahej me dhunë, me diktaturë, madje quhej “shteti I diktaturës së proletariatit”..

Mjafton të ballafaqojmë portretin e Rako Siranit me atë të gruas së tij që ai e quan “shkurrja” për të parë objektivitetin e autorit në gdhëndien e portreteve të personazheve gjer në imtësi. Mjafton të ballafaqojmë Rako Siranin me Pandorën për të kuptuar hendekun e madh mes tyre. Nuk e di pse por portreti i Pandorës është pikturuar me ngjyra pranverore dhe emri i saj tingëllon sin je melodi.

III-Te ky roman shprehet së pari rraporti i artistit me diktaturën. Në qoftë se te romani “Arkipelagu Gulag” flitet vetëm për dhunë shtetërore, te romani i Odise Kotes në një mënyrë fine pasqyrohet edhe rezistencën e artistit dhe e popullit ndaj diktaturës. Sigurisht që kjo është një rezistencë “passive”: artisti mbron artin e tij dhe dinjitetin e tij si artist: “Lahet, ushqehet, vesh jelekun dhe këmishën e bardhë me jaka të larta dhe zbret në kube. Kubeja ishte kisha e tij, ajo kishë si e At Artur Liolinit atje në Boston. Kubeja dhe interpretimi në violinë janë instrumentet që e shndrrojnë Nelo Andrean shqiptar, një varrmihës komunaleje në Nelson Andrean amerikan”, ndërkohë që populli rezistencën e tij e shpreh me ironizimin e parrullave të partisë në pushtet: -“Domethënë – e prishi dedikatën e tij Oto – tani kemi aleatë edhe Valarenë dhe Kinën” tallen me miqësinë shqiptaro kineze.

Është sfiduese kënga që sazexhinjve : “Ngremë pallatet gjer në re/Agallarë s’jemi ne/Jarnana e tarnana/../ Më të bukru se kjo s’ka”

Artisti dhe arti i tij janë më të fortë se diktatura prandaj diktatura në përpjekje të përjetësimit të pushtetit të saj, së pari godet artistët dhe artin. Artistët mund të burgosen dhe madje të vriten, por arti është i pavdekshëm, prandaj fiton mbi diktaturën gjithmon. Këtë e dëshmon historia njerëzore, këtë ka patur si synim edhe Odise Kote te romani i tij.

Rraporti i artistit me shoqërinë shqiptare të kohës i ka të dy aspektet, një shoqëri nën një trysni ideo-politike fillimisht shfaq një moskuptim e distancim ndaj artistit të ardhur nga përtej detit, të cilin e quan “Imperialist”, ashtu si dhe faktin që artisti vijon të krijojë artin e tij, në heshtje, larg syve të publikut.Të krijosh një art larg syve të publikut është si të luhet një ndeshje e rëndësishme futbolli në një stadium pa tifozë e spektatorë. Të realizosh artistikisht dhë bindshëm këto rraporte kërkohet veç talentit artistik edhe një vullnet i madh dhe njohje e thellë e jetës dhe e situatave për të cilat flitet.

Romani “Amerikani” i Odise Kotes është nga ata libra që sado të shkruash dhe të flasësh për ‘ta, ke gjithmonë diçka të re për të thënë, por e palëkundur është bindja se autori Odise Kote jo vetëm që na ka dhënë një roman modern bashkëkohor, por së pari është një shkrimtar i rrafshit të epërm të letërsisë shqipe që ka realizuar një roman tronditës shumë dimensional, për të cilin do dëgjojmë të flitet për një kohë të gjatë dhe do dëshironim të vlerësohej për atë që meriton. Sigurisht që Odise Kote do vazhdojë të na befasojë edhe në të ardhmen, por më shumë do na gëzojë me arritjet e tij.

About Post Author