Timo Mërkuri-Metempsikozën e kanë shpikur poetët


Nga Timo Mërkuri

I-Ka një varg befasues në krijimtarinë e Niko Kacalidhës që thotë: “Metempsikozën duhet ta kenë shpikur poetët”(f.94), varg që është edhe titulli i një poezie të kësaj përmbledhjeje. Kjo poezi ndërsa të huton me metaforën e saj, zbërthimi i të cilës i ngjan ecjes në një pyll të dëndur duke mënjanuar degë e shkurre për të parë se ku ndodhesh dhe nga po shkon, të krijon edhe ndjesinë ezgjerimit të mushkërive në frymarje me ajër të pasur me oksigjen.Ritmi i brendshëm poetik i ngjan këngës së zogjve në prill dhe fëshfërimës së gjetheve të njoma në flladin pranveror.Le ta lexojmë këtë poezi sa metaforike aq dhe melodioze:

Metempsikozën duhet ta kenë shpikur poetët

Me siguri metempsikozën duhet ta kenë

shpikur poetët.

Thashë të zbërtheja fjalët e gjethnajës

së dendur qiellore,

po s’m’udha e s’m’udha në krahët

e mbrëmjes.

Thashë të përgjoja në drurët e vjeshtës

rrëqethjen e gjethit mes erës,

po drurët m’u vodhën, s’ma treguan

shpirtin.

Thashë të çaja gjoksin e erës netësh

dimërore që dilnin prej territ,

po s’më lanë vetëtimat të vazhdoja

linçimin e erës.

Thashë të zbërtheja gjirin e athët

të limonit e t’i sajoja kombinezonin

në asterisin e mbrëmjes, po klithi zogu

i anëdeteve, më trembi.

– Ej, -tha, -mik i vjetër! Ej, -tha, -mik i vjetër!

Unë atëherë e besova se në shpirtin e gurit

e në shpirtin e drurit,

në shpirtin e erës e në shpirtin e zogjve,

shpirtrat e poetëve do të jenë futur, patjetër.

Me siguri, metempsikozën duhet ta kenë

shpikur poetët.f.94

Lë të rilexojmë vargjet:“Unë atëherë e besova se në shpirtin e gurit/ e në

shpirtin e drurit, /në shpirtin e erës e në shpirtin e zogjve, /shpirtrat e poetëve do të jenë futur, patjetër” dhe kujtohemi befas se; “metempsikoza[1]” ose “transferimi i shpirtit” është procesi me të cilin një shpirt kalon nga një trup fizik në tjetrin, përmes një cikli të lindjes, vdekjes dhe rilindjes ose siç quhet ndryshe nëpërmjet rimishërimit. Kështu pra, të gjithë kanë një trup të vdekshëm dhe një shpirt të pavdekshëm dhe se shpirti i poetëve të vdekur është rimishëruar te pemët.

Nuk ishte ndonjë gjetje e “re” metempsikoza ose rimishërimi i shpirtit te drurët, pasi në artin gojor të trevës së Epirit, pemët, toka dhe gurët kanë shpirt dhe trajtohen si qënie të gjalla, ndërsa zogjtë trajtohen si shpirtëra fëmijësh që enden në gjetjen e një trupi të ri. Janë të njohura legjendat mbi druidët[2] dhe perëndinë e tyre në lis, ndërkohë që frutat e lisit (lëndet) kanë shërbyer si ushqim për njerëzit dhe kafshët gjer në kohët e vona. Përrallat dhe baladat për perëndeshën e gjuetisë Artemisën që i tregonte gjyshja dhe këngët popullore që mblidhte i ati[3], për Nikon ishin udhërrëfyes të talentit dhe frymëzimit të tij për te pemët, zogjtë, gurët e mitet. E re ishte se Niko Kacalidhën në “vetminë e tij”, kërkimi i metaforës së bukur, gjuhës së pasur dhe përzgjedhja e fjalës poetike e çoi te drurët, baptisteri, te mitologjia, te stili i tij poetik i veçantë.

Gjithkush që lexon vargjet e mësipërme, duke kërkuar margaritarin

poetik në metaforën e tyre, si perlat brenda guackës detare do pyesë veten se pse Niko Kacalidha u fut në botën e pemëve dhe na fton në bashkëbisedim me drurët, gurin e zogjtë. Në pamje të parë duket një gjetje e bukur, tepër metaforike, mistike, e rastësishme, produkt i një frymëzimi spontan etj, por hutohesh më shumë kur lexon poezinë tjetër: “S’është fitomani kur flas për drurët” me vargjet:

Pasi çmallem me njerëzit ditën e parë,

ditën e dytë nxjerr mallin me drurët.

Ngjitem mbi vijën e ujit dhe pushtoj një

plep, që dridhet, rrëqethet, fund e majë,

ja nis drithërimën tërë pyllit të plepave,

që fëshfërijnë, diç duan të thonë, hutuar.

Gështenjave u çuan fjalë plepat e presin,

orakujt e vendlindjes, zgjaten degët mbi

njëra tjetrën të duartrokasin ardhjen time,

nuk ruajnë konspiracion gjethet e plepave.

……………………………………………..

Të gjithëve ua kanë thënë ardhjen time, që

pa gdhirë, fatthënat e pyllit?

…………………………………………..

Dhe një shë….të zgjatur lëshojnë të nxituara.

Si ato amvisa që u vjen papritur një mik për

kokë dhe për të mos u turpëruar brofin të

ndreqin ndonjë rrudhë në qilimin e shtëpisë.f.203

Në këtë poezi metaforike, veprimet e drurëve u ngjajnë veprimeve të njerëzve të entusiazmuar nga ardhja befasisht në shtëpi e një personi të dashur për ta dhe janë veprime dhe reagime të natyrëshme, kështu që kjo poezi të shtyn të kërkosh më thellë burimin e metaforës poetike.

II-Kujtojmë se poezitë e Niko Kacalidhës kanë një lidhje organike mes tyre sa që duken sikur janë vazhdim i njera tjetrës, si psh poezia “S’është fitomani kur flas për drurët”me poezinë e mëparëshme “Metempsikozën duhet ta kenë shpikur poetët”. Duke rikujtuar se te poezia “Metempsikozën duhet ta kenë shpikur poetët” vargjet: “në shpirtin e gurit/ e në shpirtin e drurit, /në shpirtin e erës e në shpirtin e zogjve, /shpirtrat e poetëve do të jenë futur, patjetër”, duke u takuar me pemët te poezia”S’është fitomani kur flas për drurët” autori nënkupton një takim të poetit me shpirtërat e poetëve të mëparshëm, (që janë mishëruar në pemë) dhe duke qënë se edhe vetë është poet, drurët e presin atë si vëllain e tyre poet që vjen mes tyre. Pra kemi të bëjmë me një takim poetësh të brezave të ndryshëm dhe jo me ndonjë fitoman ( fitoman gr.=maniak i sëmurë për të përqafuar pemët), sepse në rastin e poezisë së mësipërme janë drurët që përqafojnë fillimisht poetin, janë ata që e presin me mall e dashuri dhe përqafimi i poetit është i natyrshëm. Drurët janë qënie të gjalla, drurët janë njerëz. Këtë mendim na e përforcon poezia “Nën këtë qiell drurët s’mund të heshtin” me vargjet:

Nën këtë qiell dimëror dhe drurët s’mund

të heshtin.

Nën këtë qiell dimëror dhe drurët s’mund

të rrinë memecë.

Nën këtë qiell dimëror dhe drurët lakuriq si

e vërteta, dalë prej baptisterit të pagëzimit,

kanë ngritur duart drejt diellit dhe universit.

Nën këtë qiell dimëror dhe drurët sikur ecin…(f.127)

Madje edhe poezinë hymn për paqen që Niko Kacalidha e titullon thjeshtë “Paqe” e ka shkruar sikur do të thotë: “Paqe mbi drurët”:

Paqe

Paqe mbi ullinjtë dhe gjeografinë e agrumeve

paqe. Gjithë jetën luftova për drurin e paqes.

Kur e ujitja, ishte në këmbë gjithë qenia ime

prej gjaku. Kur e krasitja, më elastike bëheshin

duart dhe më magjishëm lëviznin gishtat e mij.

Kur e mbuloja nga ngricat me brucën time të

ekzistencës, më prushërohej gjiri nga e vërteta.

……………………………………………….

E në rënça për drurin parajsor të paqes, nuk dua

asgjë tjetër: Më varrosni nën drurin e paqes.

Nën liturgjinë engjëllore të pëllumbit të paqes.

Nën një lot vese të gjethit të paqes të bëhesha zog

kontinenti.

Nëse do të shndërroheshin njerëzit në zogj paqeje,

i pari do të desha të bëhesha zog paqeje.(f.128)

Është e bukur dhe e pasur bota poetike e Niko Kacalidhës, ajo çfaqet nëpër vargjet e tij sa e madhe aq dhe e vogël, sa mitologjike aq dhe moderne, sa reale aq dhe metaforike. Në poezinë e tij gjejmë pyje vargjesh dhe trumba zogjsh që nuk të lenë të flesh i qetë mbrëmjeve të prillit e të majit, imazhe këto që na vijnë në poezinë e tij nëpërmjet një gjuhe të pasur poetike, sa që ne mund të themi se poezia e Niko Kacalidhës është poezia e gjuhës së tij, është piktura e realizuar me ngjyrat e gjuhës. Gjuha e Niko Kacalidhës është një pasuri leksikore dhe trashëgimi kulturore epokash pasi përmban fjalë, shprehje dhe tinguj sa të botës mitologjike aq edhe të botës moderne. Të lexosh poezinë e tij të duket vetja se je duke ecur në një pyll të dëndur e dëgjon fëshfërimën e gjetheve, sheh rritjen e filizave të rinj dhe gjethimin e pyllit, madje ta ndjesh veten pemë që në vjeshtë të mbijnë gjethet:

Në vjeshtë mua më mbijnë gjethe

Me gjithë mend, në vjeshtë mua më mbijnë gjethe.

Drurët përfshin gjetherënia dhe më mbijnë gjethe.

Unë s’e duroj gjetherënien, kap me radhë drurët

e viseve të mia e i shtrëngoj jashtë çdo fitomanie.

Kam një mërzi për panjën lakuriqe në kurrizin e

brinjës.

Dhe s’kam ç’t’i bëj të gjorës, mes cipës së borës.

Kam një mërzi për pjergullën e zbres në oborrin

e vjeshtës dhe s’kam ç’t’i bëj të mjerës.

Dhe unë kërkoj me hamendje vendin e gjetheve,

kërkoj me hamendje ardhmërinë e syrit të fjetur,

degëzimet e mollës që janë hapur si dy gishta drejt

qiellit të vjeshtës.

Kam një merak për pyllin e vjeshtës, çfarë të bëj?

Si t’i ndihmoj të varfërit drurë, të rënuarat gjethe.

Të ftohtët trungje që japin dhe marrin me lëngun

profetik të jetës brenda tyre?

Nga meraku tek kthehem mbrëmjes në shtëpi nga

opusi i vjeshtës, më ngjan se kanë mbirë në gjithë

anatominë time gjethe.

Dhe në mes të opusit të gjetherënies së vjeshtës,

unë bëhem panjë dhe mollë dhe pjergull.

Dhe në mes të gjithë lakuriqësisë së vjeshtës,

mua më mbijnë gjethe të gjelbra[4]..(f.131)

Është i vetmi poet që e jetëson çdo proces stinor të drurëve :

Gjetherënia

Gjethi i kuq i gështenjës më shtron shtratin

e vjeshtës dhe më thotë: “Shtrihu këtu!”.

Më hedh një xhaketë flurore që kishte varur

dielli në buzëperëndim sipër degëve,

dhe më fton të ndez një cigare në buzë të yllit

që ngeci si karficë vajze kryeve të gujavës.

Gjethi i kuq i gështenjës ma kishte gjetur anën.

Më kishte vënë në gjumë dhe rashë në shtratin

e virgjër të gjetheve.

Poshtë meje, gishtërinjtë e tokës nuk pushonin

së gudulisuri.

As nuk e ndjeva si erdhi ylli e m’u ul i paftuar

në cep të qerpikut.(f.135

dheështë në gjëndje të bashkbisedojë me “Drurët profetikë”

Drurët profetikë

Ullinj të rrudhur në shenjtërinë e tyre,

përtypin humnerave gjethet e hidhërimit.

Ullinj të belbër në memecërinë e tyre,

me elipsin e gjethes në gjuhë fërshëllejnë erës.

Ullinj të kërrusur, gërmuqur, mbi tre këmbë

lakuriqe të rrënjës, bëjnë vertikalen në cirkun

e bokërrimës. Me tre degë në qiell ku çuçurisin

asteriset profecitë në çerdhen e hënës. Të butë

si pëllumbi i Noes, japin dhe degën e fundit për

shpëtimin e botës. Bulojnë nga pikat e vetmisë

vajtimtare të vajit, të palcës, profecitë e drurëve.

Në gungat e tyre gugasin pëllumbat e pikëllimit.

Në guvat e tyre krokasin korbat e hidhërimit.

Në zgavrat e tyre fle Noe me barkën e përmbytjes.

Në drurët e tyre dyzet shenjtorët e Sarandës,

ndezin shandanët dhe ngrohin duart në netët

apokaliptike. Orakuj, oshënarë, me shiritin e zi

të zezonës, lidhur në krahun e profecive.

Sythi i fjetur jam i drurit profetik, nën një cipë

lëkure të degëzimit të drurëve.

Druri i ardhmërisë me profecitë e mia. Loti im

është loti iciklaminit..(f.217)

Sarandë, dimër 1997

III-Pas leximit të kësaj poezie, duke kujtuar se në poezinë gojore dhe të kultivuar shqipe ullinjtë personifikohen me burra pleq e mentarë, duke i shtuar këtij fakti dhe llogjikën e metepsikozës që e analizuam më sipër na ndriçohet mendimi se drurët në poezinë e Niko Kacalidhës janë jo vetëm poetë të vdekur dikur, por drurët personifikojnë djem, burra dhe pleq të brezave dhe kohërave të ndryshme që kanë një lidhje me vendin dhe poetin. Nga kjo lidhje arijmë në përfundimin se drurët poetikë të Niko Kacalidhës zënë një sipërfaqe jo të pakët virgjine në krijimtarinë e tij, ashtu siç kanë mbirë në tokë qysh nga gjeneza e botës. Bota ka male, fusha, dete, lumenj, por ka edhe pyje me larminë e tyre që hijeshojnë botën, pasurojnë ajrin, por këto pemë kanë edhe shpirt të bukur dhe dinë të komunikojnë me gjuhë të veçantë me njerëzit që janë shpirt gjerë dhe human.Të gjitha këto si universalitet metaforik. Pemët dhe drurët gjallojnë në tokë, ushqehen nga toka, edhe ato i ledhaton puhiza, lotojnë, çelin, bëhen strehë zogjsh, i vrasin rrufetë, shtrihen, bëhen arkivole etj. Të gjitha këto i gjejmë te arti gojor. E thënë më thjeshtë drurët janë simbole gjeneratash të pastërtisë dhe brishtësisë shpirtërore në tokë, ata janë personifikimi i gjyshërve, stërgjy-shërve me bekimet, uratat dhe profecitë e tyre. Zogjtë te Niko Kacalidha janë personifikimi i ëndrave, shpresave, besimeve të njeriut. Pra drurët poetike, që bashkë me zogjtë e qiellit që rinë mbi to dhe ndërtojnë foletë si pjesë e pandarë e universit, lidhin tokësoren me qielloren.

Kjo krijimtari e Niko Kacalidhës është një pasuri e çmuar dhe e veçantë e poezisë shqipe të cilën nuk e zhvlerëson asnjë teori apo sistem shoqëror. Ajo është mbi to.

Imazhet poetike të Niko Kacalidhës ngjajnë shumë me pikturat dhe është e drejtë të thuhet se: ”Hamendësoj se nese Niko Kacalidha nuk do të ishte një poet i shquar surrealist, sigurisht do të ishte një piktor i rendësishëm”(Jorgo Frangos). Vetëm një poet i tillë mund ta pikturojë dhe mitin ta sjellë para nesh të çmitizuar, duke i hequr vellon enigmatike për ta parë si të vërtetë me pamje moderne konkrete dhe ky funksionim i laboratorit krijues bën çmitizimin gjoja me detaje naive, por tepër poetike. Diku Van Gogu ka shkruar:”Kam natyrën artin dhe poezinë dhe po qe se kjo nuk është e mjaftueshme, atëherë çfarë është”?

IV-Në qoftë se dikush do pyesë përsëri pas këtyre shënimeve se pse Niko Kacalidha bashkbisedon kaq shumë me drurët dhe zogjtë, me mitet dhe heronjtë homerikë në poezinë e tij moderne, unë ju them se nuk ka qënë arsye kërkesa e një stili të veçantë. Stili erdhi si një nevojë “fshehjeje” nga “Juda” që vërtitej mes drurëve të shtëpisë së tij. Ka një shkas real personal lindja e këtij stili surrealist metaforik në poezinë e Niko Kacalidhës:

Gjatë kohës që punoi mësues në Cerkovicë (1972-1982), i ati i tij, një ish mësues në disa shkolla i thotë: Qëndro larg klubeve, sepse aty do dëgjosh gjëra për të cilat do të duhet të dëshmosh dikur diku. Po fole, do bëhesh njeri i urryer nga të tjerët por dhe nga vetja jote, po nuk fole, do flasin të tjerët për ty gjera jo të vërteta, që do ti vërtetojnë me “tre dëshmitarë”.

Atëherë ai nisi të qëndrojë larg klubeve me njerëz, rrinte në kopshtin e tij ose në pyll dhe niste e “bashkëbisedonte” me pemët. Gjyshja i kishte thënë se dhe pemët janë qënie të gjalla, ato flasin me gjethet që fëshfërijnë nga era, shohin me sythe( prandaj quhen të tilla), qeshin me lule,etj. Ndoshta gjyshja ka dashur t’i largojë ankthin e vetmisë, një ankth dhe vetmi që krijoi artin e tij të magjishëm poetik, por kjo vetmi u bë laboratori krijues i një poezie sa surrealiste dhe metaforike aq edhe e natyrëshme. Kjo mu kujtua kur te poema “Shtëpia e erërave” lexova vargun: “Pas drurëve të shtëpisë sime dukej e zhdukej Juda” (f.351).

Sigurisht që kjo vetmi e Niko Kacalidhës ishte vetmia poetike dhe jo një jetë eremitësh pasi ai ishte poet me “zullumet” e poetëve, herë me zogjtë e herë me yjet, herë me drurët e herë me njerëzit për tu mësuar atyre se nqse duan të kenë një shpirt dhe zemër të butë, le të afrohen me këtë botë universale. Ndoshta vlen të kujtojmë se dhe Lasgushi i madh ka dy libra gati qiellorë: “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”.

V-Niko Kacalidha kërkoi dhe gjeti shpëtimin te drurët duke bërë “varka” vargjesh me drurë për të shpëtuar nga vërshimi përmbytës I soc-realizmit në art si Noe që ndërtoi varkën e tij të shpëtimit nga përmbytja e ujrave si pasojë e zemërimit të zotit. Ndryshimi është se Noe e bëri varkën e tij me porosinë e Zotit dhe mori në ‘të familjen e tij dhe nga një çift shpesë e kafshë të gjallë, ndërsa Niko Kacalidha ndërtoi një “flotije”varkash poezi dhe ngarkoi në to gjithë botën e tij modern poetike. Në qoftë se Noe e braktisi varkën e tij pas tërheqjes së ujrave përmbytëse, Niko Kacalidha i solli varkat e tij në limanin e ditëve tona dhe i zbriti mes nesh krijimet e tij te përmbledhja “Heraldikët e borës” dhe botimet greqisht në limanet greke.

Niko Kacaklidha jeton me poezinë dhe të shkruarit poezi e ka mënyrë të jetuari. Portreti i dhënë nga Bedri Islami për Niko Kacalidhën student: ”..ashtu i hajthëm, disi i shpërqëndruar, gjithë qenia e tij ishte mirëdashje, i mbjellë me dashurinë për letërsinë, sikur të kishte bërë një marrëveshje me botën e bukur poetike të Parnasit, por, edhe pse i thonin ”greku i vogël”, në poezinë e tij ishte aq shumë vendas, kishte bashkuar në vete shpirtin e popullit nga kishte origjinën, me shpirtin e vendit që i takonte tashmë” (Gazeta Dita 14 Dhjetor 2022) është i freskët edhe për Nikon dhe botën e tij sot.

Sarandë, 9 janar 2023

[1]Të gjithë kanë një trup të vdekshëm dhe një shpirt të pavdekshëm ku trupi tretet në dhe ndërsa shpirti rimishërohet, në rastin tonë shpirti i poetëve është rimishëruar te pemët.Shumë filozofë të lashtë grekë si Pitagora, Empedokli besonin në metempsikozë, madje Platoni besonte se fati varej nga jeta e shpirtit në mishërimet e mëparëshme.Ka një teori që shpirtërat e pastër nga qielli për tu mishëruar dhe se ndëshkimi apo shlyerja e mëkateve arrihet përmes rilindjes.Kështu nqse vuajnë njerëzit e devotshëm, kjo duhet të jetë për mëkatet që kanë bërë në një egzistencë të mëparëshme.Ideja që një person fillon një jetë të re në një trup tjetër pas vdekjes gjënden në gjithë botën. Budistët në Tibet, Scientologët në Amerikë, Hindustët në Indi dhe Sikët në Kanada pranojnë rilindjen si një fakt

[2] Plini Plak në “Historia e natyrës” (libri XVI), e shpjegon emrin “druid” me fjalën “drus” që do të thoshte “lis”, duke shpjeguar se për Druidët, lisi ishte një pemë e shenjtë. Sipas Gaj Jul Çesarit, Druidët besonin në pavdekësinë e shpirtit që pas vdekjes së trupit në të cilin strehohej, emigronte apo gjente strehë në një trup tjetër. Për këtë arsye, Druidët mendonin se ishte e kotë, e gabuar dhe e palogjikshme t’i frikësoheshe vdekjes. Gjithashtu, Druidët u jepnin mësime të rinjve edhe mbi natyrën, yjet dhe lëvizjen e tyre në qiell, mbi madhësinë e universit dhe të tokës sa dhe mbi esencën dhe pushtetin e hyjnive. (Gaj Jul Çesari, “Lufta e Galis” VI, 11 – 15). Ka dhe një teori që emrin “etrusk” e shpjegon: ata të dushkut, që besojnë te dushku (druri i lisit) ku gdhëndej apo pikturohej shëmbëlltyra apo simboli i Zotit të kohës. (shiko Fundi i misterit etrusk). Sigurisht që këtu jemi në kohën e besimeve pagane.

[3]Babai i Niko Kacalidhës gjithë jetën i ishte përkushtuar mbledhjes së folklorit të krahinës ku mblidhte këngë, doke, zakone, legjenda, përralla, pasuri gjuhësore, proverb, gjë e gjëza të cilat i botoi në Greqi pas viteve 90 në 5 vëllime. Këtë punë e bënte gjithmon me frikë, si ish i dënuar, dhe Niko Kacalidha në poemën “Shtëpia e erërave”, te strofa 7 ka një varg ku thuhet:’Dragojtë ulërinin të lidhur në dorëshkrimet e babait”f.352. Emri i tij përfshihet te Enciklopedia e Rrethit të Sarandës dhe Delvinës.

[4]Citimi gati i plotë i poezive bëhet pasi fragmentarizimi i tyre nuk e jep të plotë idenë që parashtrojmë.