Timo-Vaso Papaj


Timo

Timo!

Ti u ktheve një ditë nga po ajo rrugë, mor djalë.

Në kurriz një trastë, plot ëndrra të fëmijërisë, rinisë.

E kur arrite tek trualli i babait, seç mbete pa fjalë.

Bashkë me çatinë kish rënë dhe porta e shtëpisë.

Timo!

Kishe aq mall për atë kohë kur nëna tundte djepin,

Aty mes shkëmbit, përroit, rrëzë malit, ndanë kishës,

Por djepa s’kish, as vajza s’kish t’u hidhje grepin,

Ndaj sytë i çoje ashtu kot, herë Qorres e herë Çikës.

Timo!

Me pantallon të shkurtër kaplove male n’atë moshë,

E burrë u ktheve, lëkurëregjur, sylarush e mjekërrzi.

Të ngrije, Timo, djepin tënd që kishte mbetur bosh.

Të puthje një buzëqeshje në mëngjes, të kishe një fëmijë.

Timo!

Dikur, këtu, babanë tënd të gjithë “grek” e kishin gjetur.

Po dhe atje ku shkove, nofkë të vunë: “shqiptari morracak”.

E vite rresht, pa ditur se kush ishe, rrugëve kishe mbetur,

Gjersa iu ktheve rrënjëve, këtu, tek toka jote plakë.

Timo!

Kërko, Timo, kërko një çupë si vetja! Dil nga pragu!

E gjeje dashurinë! Ky bregu Jon kërkon fëmijë.

Një zile shkolle të drithërohet, mos vdesësh nga meraku.

Është plakur Bregu, Timo, veç ti e bën të ri.