Tinguj në oqean-Lata Ajdini Musabelliu


Lata Ajdini Musabelliu

Buzë Atlantikut eci qetësisht

Sandalet në dorë e këmbëzbathur

agimi akoma s’kishte shkrepur

heshtur unë eci anës bregut

Nëpër këmbë dallgët më përplasen

shkum e tyre kërkon t’mi ledhatojë

guralecët lëvizin kuturu

vëmendjen time sikur kërkojnë

Zëra të largët në vesh më oshëtijnë

si pasthirrma nga fundi oqeanit

një tingull violine vajton dhimshëm

si vegim, në breg e sjellin dallgët

U shtang atë çast brendia ime

Them: ’këtu është Titaniku’

Kushedi sa pengje ata kanë

u fundosën përgjithmonë atë natë dimri

Sërish mbi Atlantik dielli shkrepi

violina dhe zërat më s’dëgjohen

shikimi mërgoi larg përmes dallgësh

e lutje shpirti në heshtje dolën.

(Shkeputur nga libri im me poezi”Tinguj pertej oqeanit)

Copyright autori( Lata Ajdini Musabelliu )

Boston/2024