Toka ime-Suzana Rama


Toka ime,

e shtrënjta, e paepura,

me prehër të ngrohtë,

dhe ngjyra plot,

me të 4 stinët e tua,

flutur më deshe,

të verdhë me pika,

çupëz u bëra,

si lastar u rrita.

Toka ime,

që më mëkove,

dhe më mësove,

si brazda të bëj,

dhe mbi to si të kaloj,

llërë përveshur,

si farën të mbjell,

se mundin dhe djersën,

njeqindfish ma sjell.

Toka ime,

patëm durim,

që të dyja,

ti me mësimet,

dhe unë në gjurmët e tua,

diku u gremisa,

nga gjunjët gjakosur,

dhe ti sërish ,

më ngrite në këmbë,

se mësimet e tua,

nuk kishin të sosur..