TOKA IME


TOKA IME

Shpresëndezura,

buzëqeshja,

pika loti,

toka ime!

Një pëllëmbë reliev me rrudha malesh,

shpirtin det në pafundësi,

zgjatim i horizontit pëlhurë kaltërsie

ku çel dielli e flen qielli.

Nën yje rojtonte syri i shqipes,

mbi yje ngjitej zëri i uritur për liri.

Kreshencë epike, Atdheu im,

dheu i nënës dhe i atit,

i ashtit rrënjë ulliri e degë dafine

veshur me cilësi fisnike,

ardhur nëpër limfën e krojeve

të gjakut shekullor.

Ti,

nuk ece xhadeve me skarpina

duke ngulur asfaltit elegancën e takave,

as nuk veshe peliçe dhelpre e borsalina.

Netëve,

dremisje mbi fatin tënd shpatëngjeshur,

ditëve,

me drapër varur në çengel të supit

të shponin këmbët fushat me thekërishte.

Eehh toka ime!

Me shpatën degëlisi në dorë

rrëzoje murana tinëzare

që kohët të ngrenin.

Muranë pas murane

shkrepte bubullima shpirti yt.

Dufi i shputës përgjakur

thërmonte gurë malesh,

shkëmbinjve u merrte forcën,

detit, shkulmet e dallgëve.

Kohët mbulojnë njëra-tjetrën.

Çdo lindje dielli çel lule të reja.

Nëpër rrokullisje stinësh e vitesh

ëndrrat prushojnë,

ndizen e bëhen krifa të zjarrta,

sot një…,

nesër dy…, tre…,

derikur të pesë malet

të hedhin vallen sup më sup

nën një çati,

nën qiellin blu me vezullime yjesh.

Eeehh, lumja ti,

e lumja unë për atë ditë…!

@seti pezaku vladi

About Post Author