Tomas Heywood:Historia e Dik Uajtingtonit-Përkthim nga Agim Xh. Dëshnica


Tomas Heywood

Historia e Dik Uajtingtonit

Përkthim nga Agim Xh. Dëshnica

Kjo histori me famë në botë, disa thonë, se është përrallë fshati, ndërsa disa në qytet thonë se është tregim fantastik nga jeta e Sër Rikard Uajtingtonit, sherifit, tri herë Kryetar i Bashkisë së Londrës dhe Kalorës i Nderit.
Rikard Uajtingtoni, në kohën e fëmijërisë, qe aq i vogël, saqë s’mbante mend as prindët, as vendin ku pati lindur. I mbetur jetim dhe pa shtëpi, çuni i gjorë endej nga një fshat në tjetrin. Njerëzit e mirë, sidomos plakat e pleqtë, e quanin shkurt Dik. Kur ai kalonte udhës, shumë vetë i bënin zë të hynte në shtëpitë e tyre dhe me ato që u ndodhej i jepnin të hante e të pinte nga tërë ç’kishin. Madje, e mbanin edhe të kalonte natën. Shpesh herë ata i tregonin rrëfenja e përralla. Diku habitej, sidomos nga rrëfimi për mrekullitë e Londrës. Kështu mësoi se në atë qytet të madh rrugët ishin të shtruara me pllaka ari dhe drurët në parqe e anash rrugëve i kishin degët me gjethe argjendi. I mahnitur nga ato që dëgjonte, Uajtingtoni s’mbyllte dot sytë deri në mëngjes prej hamendjeve e përfytyrimeve. Ndaj një ditë Diku i la fshatrat e u nis në këmbë të shikonte në atë qytet magjik. Udhës i kaloi pranë një pajton me katër kuaj të bardhë. Karrocieri tërhoqi frenat, i thirri të hipte dhe të zinte vend pranë tij. Dhe kështu ai pa asnjë dyshkë në xhep, mbërriti në Londër.

Me atë pajton shëtiti përbri pallateve të lartë nëpër udhët e gjera e përmes urave mbi lumin Tamixh. Pa dhe dëgjoi këmbanat e kullës Bingbeng të Sahatit. Por, zhgënjimi i Dikut qe aq i madh saqë ëndrrat iu zhdukën në çast, teksa nga pajtoni i kapnin sytë rrugë me gropa e pluhur. Drurët e rrallë me gjethe të thara nuk bënin asnjë hije, siç ndodh në fshat. Më në fund, pasi falënderoi karrocierin bujar, zbriti nga pajtoni dhe u hodh në trotuar i rrethuar nga turma e potershme .Njerëzit e atij qyteti me famë në botë iu dukën, të ngrysur, aspak miqësorë e krejt të pasjellshëm. Njëri e shtyu, një tjetër e shau, duke i bërtitur pse bridhte udhëve pa punë. I tronditur Diku filloi t’u largohej atyre njerëzve e t’i hidhte hapat më tutje. I lodhur e i pangrënë ecte pa e ditur për ku. Në disa dyqane ia përplasën derën e hyrjes, kur ai u kërkonte edhe punë të rëndomta. Mesa kuptohej, fajin e kishin veshjet zhele – zhele dhe këpucët e tij të shqyera. I etur e i uritur, siç qe, kërkoi diku pak ujë e pak bukë, por nuk i dha askush.. Më tej disa herë u rrëzua përtokë e u gjakos, po udhës drejt qendrës, fati më së fundi, e ndihmoi. Pronari i sipërmarrjes tregtare F. Co, mister Fricuarrën, tek e pa në atë gjendje, e pyeti se nga vinte. Kur vuri re sytë e zgjuar e flokët kaçurrel të Dikut, urdhëroi t’i jepnin ujë, bukë e mish. Dhe, pa u menduar gjatë, e mori punëtor në kuzhinë, të ndizte stufën e gatimit me qymyr dhe ta mbante zjarrin të pashuar. Kuzhinieri qysh në fillim e priti ftohtë. Pas disa ditësh nisi ta shante me fjalë të vrazhdëta: “i ngathët!”, “përtac!”, “lëvizi më shpejt duart, rrugaç!” Jo vetëm aq, por njëherë e qëlloi edhe me shpullë. Diku nuk ndihej por, vazhdonte të punonte me aq sa mundej. Një ditë e bija e pronarit, zonjushë Liza, vajzë e re dhe shumë e bukur, kaloi nëpër repartet e punës. Atje vuri re seç ndodhte në kuzhinë. Pasi u mendua pak, vajti tek i ati e i kallzoi për sjelljen e kuzhinierit. Pronari e thirri në zyrë dhe e qërtoi. Kuzhinieri e qepi gojën. Përveç ushqimit e fjetinës, Dikut i dhanë edhe para. Kështu, jeta e tij në punë nisi të ndryshonte. Veçse, tek pushonte e flinte, lëvrinin përqark e sipër tij minj e merimanga, ndaj tërë natën mbetej pa gjumë. Të nesërmen gjatë orës së pushimit doli jashtë dhe rrugës pa një grua të moshuar me dy maçokë në krah. Njeri qe i zi sterrë, tjetri i verdhë. Siç dukej ajo donte t’í shiste. Diku e pyeti për çmimet dhe zgjodhi maçokun e verdhë me sytë e ndritur xixa – xixa. Gruaja e moshuar, për fat të mirë, qëlloi zemërbardhë. Pasi u njoh me hallin e tij, ia dha maçokun me çmim fare të lirë. “E ka emrin Tomi ky!“ – i tha duke qeshur.
Në fjetinë maçoku Tom me kokën e verdhë, trupin pulla-pulla e sytë xixa – xixa, me kërcime të shpejta, i shfarosi tërë minjtë, nga i vogli tek i madhi. E, kësisoj, atje nuk vonoi të mbretëronte qetësia. Qysh atë natë Diku pushoi dhe fjeti si asnjëherë në jetë. Madje, pa në gjumë edhe ëndrra nga më të bukurat.
Kaluan muaj e vite. Diku, me paratë e kursyera, u vesh më mirë, u regjistrua në shkollë dhe vazhdoi punën si përherë. Me vullnetin e fuqinë në punë, e habiti pronarin, ndaj herë pas here ai e lëvdonte para punëtorëve. Kuzhinieri digjej nga zilia e s’u miqësua me të asnjëherë.
Mister Fricuarrën merrej jo vetëm me shitje mallrash e me shpërndarje ushqimesh në qytet, por mendonte edhe për punëtorët e sipërmarrjes. Përveç shpërblimit për punën e kryer, kujdesej që ata të pasuroheshin, duke dorëzuar sendet e tyre me vlerë për t’u shitur në tregjet përtej detit me anijen e vet tregtare Unikorn. Këtë punë ua ngarkonte përherë kapitenit Xhon Xhek e përfaqësuesit tregtar Samuel Smith. Lundrimi fillonte zakonisht në kohë vere, kur shtrëngatat kishin pushuar e deti shtrohej me valë të qeta, ndërsa era ishte e mbarë në drejtimin e duhur. Me atë anije mund të udhëtonin edhe ata, që dëshironin të shihnin qytetet e vendet e largëta.
Aty nga fillimi i korrikut Mister Fricuarrën i thirri punëtorët në prani të kapitenit e përfaqësuesit tregtar.

  • Pas një jave, – u tha, – anija ime do të niset për lundrim! Kush prej jush do të provojë fatin këtë radhë, duke dorëzuar sende me vlerë për t’u shitur me leverdi në tregjet e Afrikës?
    Përveç Dikut, të tjerët pranuan të merrnin pjesë në atë tregti me përfitim.
    Ç’mund të jepte Diku i gjorë? Këpucët? I ra ndër mend Tomi me sytë xixa – xixa. Për disa çaste heshti i menduar. Por, shpejt dhe papritur u dëgjua zëri i tij i ndrojtur:
  • Unë kam vetëm maçokun!
    Shumë vetë ia shkrepën gazit, ndërsa zonjusha Liza tha:
  • E ndihmoj unë Dikun!
  • Nuk pranohen ndihmat! – ia ktheu Mister Fricuarrën. – Secili duhet të dorëzojë mallrat e veta! Në tregti zakonisht ndihmon fati!
    Ndërkohë ndërhyri kapiteni Xhek:
  • Mister, – tha ai, – edhe maçoku vlen! Na duhet gjatë lundrimit.
  • Pranohet!- iu përgjigj Mister Fricuarrën. Diku vajti me të shpejtë në fjetinë, mori Tomin, u kthye e ia dorëzoi i përlotur. Një ditë prej ditësh, kur dielli shkëlqente në qiellin e pastër, “Unikorni” u shkëput nga bregu, tek kishte hedhur spirancën, doli nga porti e dalëngadalë, valë mbi valë, humbi përtej horizontit.

Diku vazhdoi të punonte në kuzhinë. I trishtuar shpeshherë i dilte para sysh Tomi i tij, tek bridhte nëpër anije në shërbim të njerëzve të panjohur.
Kuzhinieri nisi prapë nga të tijat, duke e tallur Dikun për Tomin e lënë peng:
-Të iku maçoku! Nuk kthehet më. Do të të hanë të gjallë minjtë e merimangat!
Gabohej i paudhi, sepse djaloshi kishte blerë një tjetër. Megjithatë, puna në kuzhinë me atë njeri të mbrashtë iu bë e padurueshme, prandaj një ditë la gjithçka dhe mori rrugët përsëri drejt fshatrave.
Me atë gjendje të rëndë shpirtërore, mbërriti afër fshatit Hillgejt. U ul mbi një gur anës rrugës i pavendosur se ç‘drejtim duhej të merrte. Në ato çaste dëgjoi kambanat e Kishës së Shën Mërisë, teksa kumbonin po me një ritmë.
⦁ – Ktheu, Uajtington, Uajtington, Ujtington! – thirri tri herë kryetari i Bashkisë së Londrës ! – Qe diçka e çuditshme, si fanitje, frymëzim hyjnor! I ra në të. Nuk duhej të ikte. Ndaj e ndau mendjen të kthehej mbrapsht, i vendosur të përballej me vështirësitë e jetës, duke luftuar për të fituar kohën e humbur.
shte koha kur anija me tre direkë, me vela të fryra, po çante detin drejt brigjeve
Afrikane, e ndihmuar nga era e mbarë.

Lundrimi zgjati rreth dy javë, i qetë, ditën e natën, e më së fundi Unikorni hyri në limanin e Mbretërisë Malaja. Ardhja e një anijeje tregtare angleze ishte si ditë feste për banorët vendas.
Sipas zakonit, kapitenin me përfaqësuesin tregtar dhe disa të tjerë, i priti mbreti në pallat me mbretëreshën e sekretarët e tyre. Pas përshëndetjeve, ata u shtruan të bisedonin për shkëmbimet tregtare. Gjithçka kaloi miqësisht. Mbreti, pasi i miratoi marrëveshjet, i ftoi miqtë të uleshin për drekë pranë tryezes së gjatë me pjata porcelani. Në çastin kur të gjithë kishin zënë vend, shërbëtorët i mbushën pjatat shpejt e shpejt me supë pule, me pata të pjekura, me tru majmuni të skuqur, me fiq deti e banane. I pari filloi mbreti. Sapo ai e afroi lugën me supë te buzët, një mizëri minjsh të zinj u sul papritur mbi tryezë nëpër pjata.

  • Hiç mos kini merak, – tha mbreti buzëgaz, – veç u bini me lugë, se largohen në çast!
    Kapitenit Xhek iu kujtua maçoku i Dikut.
  • Madhëri! – ia ktheu ai. – Kemi në anije një krijesë, që zhduk në çast minj e merimnga!
    Mbretit i ndriti fytyra dhe thirri fort:
  • Silleni menjëherë këtu!
  • Ah, çfarë gëzimi! – qeshi me gjithë shpirt mbretëresha.
    Pas pak kohe, me Tomin në duar mbërriti përfaqësuesi tregtar dhe e lëshoi atë sakaq përtokë. Maçoku me sytë xixa – xixa u vërvit mbi tryezë dhe, për dy -tri minuta i ndoqi minjtë prej andej, pastaj i përlau nga i pari tek i fundit. Në mbarim, me veshët e ngritur lart, ndaloi si luftëtar përballë mbretit, i cili tha i lumtur:
  • Sot pash një mrekulli! Këtë trim do ta mbajmë në pallat. Për të jap një arkë të madhe si kjo, plot me ar e diamant nga më të çmueshmit. Do të ble shtrenjtë edhe mallrat që keni në anije.
    Përfaqësuesi tregtar u hodh përpjetë nga gëzimi. Ndërkohë, Tomi iu afrua mbretëreshës. Ajo, sapo vuri re sytë e tij, u tërhoq prapa e trembur.
  • Me njerëzit është i urtë ai! – tha kapiteni duke qeshur,
  • Si e ka emrin?
  • Tomi.
    Mbretëresha u qetësua, zgjati duart dhe e joshi Tomin ëmbël me “pës-pës…”
  • Tom – Tomi! Ah, sa i mirë qenke!
    Maçoku ngriti sytë e iu hodh në prehër. Mbretëresha ia lëmoi kokën butë e butë. Tomi u shtri, dremiti dhe fjeti. Me urdhërin e mbretit dreka u shtrua për së dyti, më e pasur.
    Tri ditë më vonë, kur era frynte nga bregu në det, anija Unikorn me velat e hapur, e ngarkuar me ar, diamant e mallra me vlerë, si fildish elefantësh, gëzof panterash e tigrash, mori udhën e kthimit.
    Pa zbardhur dita mirë, mister Fricuarrën hyri në zyrë për t’i hedhur një sy gjendjes së llogarive në fund të ditës së shkuar. U ul pranë tryezës së punës dhe nisi të shqyrtonte disa fatura e shkresa. Pas pak, dikush trokiti në derë.
  • Kush është? – pyeti ai dhe mbajti vesh.
  • Dy miq jemi!
  • Cilët jeni ju, që trokisni në këtë orë!?
  • Vijmë nga larg, zotni, me lajme të mira!
    Mister Fricuarrën brofi në këmbë, hapi derën e u gjend përballë kapitenit Xhek dhe përfaqësuesit Smith. Të qeshur e krenarë të dy, duke tërhequr një arkë të rëndë, kaluan pragun dhe hynë në zyrë. Pastaj Smithi hapi arkën dhe tha:
  • Tërë ky thesar është shpërblim nga mbreti i Malajës për maçokun Tom. Sendet e tjera ruhen në anije. – Në fund ai i dorëzoi listën e mallrave me vlerë. Mister Fricuarrën ngriti sytë lart dhe lëvdoi Zotin për tërë ato sende të çmueshëm nga lundrimi i mbarë i atij viti.
  • E gjithë kjo pasuri, – tha, – iu shtua jo vetëm sipërmarrjes, por edhe punëtorëve, që morën pjesë ne këtë tregti me fat për hir të asaj krijese të mrekullueshme me emrin Tom!.- Pastaj papritur shtoi : – Thërrisni Mister Rikard Uajtingtonin dhe ata, që udhëtuan me anije! Të mblidhen menjëherë këtu!
    Në atë orë Diku, pasi kishte ndezur stufën, po pastronte kuzhinën. Sapo e njoftuan, la punët dhe u paraqit në zyrë tek ishin mbledhur shumë vetë.
  • Mister Uajtington, – i tha pronari me buzë në gaz, – qysh në këtë çast ju jeni një nga më të pasurit e qytetit. Kjo arkë me ar e diamante është e tëra e juaja. E keni dhuratë nga Tomi.
  • Diku i hutuar, kur pa arkën plot me ar e diamante, ra në gjunjë e iu fal Zotit. Pastaj i hutuar pyeti:
  • Të gjitha të miat? Po ju?
  • Asnjë gram nga pasuria e juaj e ligjshme! – ia ktheu mister Fricuarrën.
    Diku hodhi sytë përqark dhe e pyeti pësëri:
  • Po miqtë e mi?
  • Gjithkush vetëm të tijat!
  • Megjithatë, unë do t’i shpërblej të gjithë! – tha Diku. – Edhe ustai im i kuzhinës ka pjesën e vet.
    Pas mbarimit të asaj mbledhjeje të paharruar, pronari mister Fricuarrën, si prind i urtë, i tha:
  • Tani, mister Uajtington, filloni nga vetja! Blini kostume nga më të shtrenjtët për takimet e ardhëshme me zyrtarët e lartë e tregtarët e shquar të qytetit! Deri sa të gjeni shtëpi në lagjen më të bukur të Londrës, mund të banoni tek unë.
    Diku tashmë i pasur bleu gjithçka. U la mirë e mirë, krehu flokët kaçurel e, sapo veshi kostumin blu, mori pamjen e një djaloshi fisnik e të pashëm. Ky ndryshim ra në sytë e zonjushës Liza. Pak nga pak simpatia e dy të rinjëve u kthye në dashuri. Pa e zgjatur më tej, Rikard Uajtingtoni i kërkoi mister Fricuarrënit dorën e së bijës. Dasma qe madhështore, me shumë të ftuar, ndër ta qenë zyrtarë të lartë nga Bashkia, tregtarë të dëgjuar e disa bankierë. Lajmi u përhap në gjithë qytetin.
    Familja Uajtington jetoi gjatë e lumtur me trashgimtarët, djem e vajza.
    Rikard Uajtingtoni shërbeu si Sherif i Londrës e tri herë Kryetar i Bashkisë. Në vtin e tretë si Kryetar Bashkie, tërhoqi vëmendjen e mbretit Henrik V.
    Në ditën e fitores kundër Francës mbreti i tha:
  • Sër Rikard, me veprat e punët tuaja ju vleni më tepër se një princ. Pas disa ditësh, e gradoi Sër Uajtingtonin me titullin Kalorësi i Nderit.
    Sër Rikard Uajtingtoni në vijim iu kushtua veprave bamirëse. Ndërtoi një kishë dhe një kolegj për nxënësit e varfër me konvikt, spital e banesa. Krahas tyre – një burg me mjedise më të mira për të dënuarit. Ndau mënjanë një shumë të majme parash për ngritjen e Spitalit të Shën Bartolemeut dhe për fshatarët, ku jetoi dikur. Pastaj në kujtim të asaj dite të paharruar, kur dëgjoi këmbanat e Shën Mërisë, se do të bëhej tri herë kryetar i bashkisë së Londrës, ndërtoi spitalin në Hillgejt. Po në atë suri, si në një rrëfim apo përrallë me mbarim të lumtur. rrethinë ngriti disa përmendore kushtuar kujtimit të Tomit, që i dhuroi tërë ato pasuri, si në një rrëfim apo përrallë me mbarim të lumtur.

.